glory Krishti

Zoti i Lavdisë


Letra e Jakobit ka një varg interesant në të cilin Fryma e Shenjtë lidh fjalën lavdi me emrin e Jezusit:

“Vëllezër të mi, mos i lidhni preferencat personale me besimin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zoti i lavdisë” (Jakobi 2:1).

Po te njëjtin konstrukt përdor edhe Apostulli Pal tek 1 Kor. 2:7-8 ku thotë:

“por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë, 8 të cilën asnjë nga pushtetarët e kësaj kohe nuk e ka njohur; sepse, po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.”

Të dashur nga Perëndia, Krishti është lavdia e Perëndisë, Shekina. Sipas Dhiatës së Vjetër, termi shekina përdorej për manifestimin e dukshëm të Perëndisë së padukshëm. Shekina ishte një re ndriçuese apo një dritë që shkëlqente fort brenda resë që shoqëronte Izraelin dhe që sinjalizonte prezencën e Perëndisë në mesin e popullit të Tij. Ajo ishe lavdia e shfaqur e Perëndisë. Të rrëfesh që Krishti është Shekina është të deklarosh se Krishti është prezenca e Perëndisë, manifestimi i Tij në gjithë lavdinë e Tij. Në Krishtin ne shikojmë manifestimin e lavdisë së Perëndisë. Për këtë arsye Emri i Tij është Emanuel, Perëndia me ne, (Mateu 1:23).

Kur Dhiata e Re i atribuon lavdi Jezus Krishtit, ajo rrëfen hyjninë e Krishtin, dhe e deklaron atë Perëndi prej Perëndie, Zotin e Gjithëpushtetshëm të Dhiatës së Vjetër. Termi lavdi, kur përdoret për Krishtin, përdoret gjithnjë si një atribut hyjnor që i takon atij prej të qenit Perëndi. Këtë lavdi, Krishti refuzon që ta ndajë me njeriun siç edhe lexojmë tek Isaia “Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura” (Isa.42:8). Për këtë arsye engjëjt i kënduan Krishtit “Lavdi Perëndisë” tek Luka 2:14; për këtë arsye të njëzetë e katër pleqtë në fronet qiellore tek Zbulesa 4:4-11, duke përfaqësuar popullin e Perëndisë si të Dhiatës së Vjetër ashtu edhe të Dhiatës së Re, “hedhin kurorat e tyre përpara fronit, duke thënë: “Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjëra, dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan”.” Dhe kështu Apostulli Gjon deklaron se “Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë” (Gjoni 1:14).

Të dashur në Krishtin, le ti bashkohemi ushtrisë engjëllore, Kishës Trimfante që pushon sot në vende qiellore në Prezencën e Perëndisë dhe le të adhuromë Qengjin duke thënë:

“”I denjë është Qengji që u ther, të marrë fuqinë, dhe pasurinë, dhe diturinë, dhe forcën, dhe nderin, dhe lavdinë, dhe bekimin…Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve,” (Zbulesa 5:12-13).