Thirrje Per Veprim


Mesazhi

Kishat Ungjillore si në Shqipëri ashtu edhe në të gjithë botën perëndimore ndodhet nën trysninë, infiltrimin dhe madje fatkeqësisht, dominimin e frymës sekulariste të kësaj epoke dhe jo nën Frymën e Krishtit. Fryma e kësaj epoke influencon e kontrollon mjetet dhe metodat që Kisha përdor si edhe qëllimet që synon. Qëllimi ynë është që ta thërrasim Kishën që të pendohet nga kjo gjë dhe të rifitojë e të kthehet në besimin historik biblik të Krishterë. Identiteti ynë historik dhe teologjik ka qenë i përkufizuar gjithmonë mbi themelin e pesë solave të Reformacionit evropian. Ato janë:

  1. Sola Scriptura: Vetëm Shkrimi i Shenjtë – i pagabueshëm e i pagabimtë është burimi i vetëm i vullnetit të Perëndisë për jetën dhe besimin tonë. Ai është i vetmi autoritet mbi të gjitha çështjet e jetës dhe besimit, dhe vetëm Shkrimi ka fuqi detyruese mbi ndërgjegjen e njeriut.
  2. Solus Christus: Vetëm Krishti – shpëtimi ynë u realizua vetëm nga jeta dhe vepra zëvendësuese dhe ndërmjetësuese e Krishtit, Përsonit të dytë të Trinisë, Perëndisë së trupëzuar.
  3. Sola Gratia: Vetëm Hiri – Perëndia është Ai që na shpëton ne prej zemëratës dhe dënimit të Tij të shenjtë për mëkatin vetëm nga hiri. Shpëtimi vjen vetëm nga dashuria e Tij e pamerituar dhe jo nga meritat e njeriut.
  4. Sola Fide: Vetëm Besimi – Ne jemi të shfajësuar vetëm përmes besimit dhe ky besim është vetëm në Krishtin. Besimi, i dhuruar vetëm prej Perëndisë, është marrja dhe prehja vetëm në Krishtin dhe drejtësinë e tij, dhe është i vetmi instrument i shfajësimit tonë.
  5. Soli Deo Gloria: E Gjithë Lavdia Vetëm Perëndisë – Shkrimi deklaron sovranitetin e Perëndisë mbi çdo aspekt të jetës së njeriut. E gjithë jeta duhet jetuar nën zotërimin e Krishtit dhe për lavdi të Perëndisë. Qëllimi final i njeriut është të përlëvdojë Perëndinë dhe të gjejë kënaqësinë në Të.

Mënyra

Si Shkrimi i Shenjtë, ashtu edhe përvoja e historike e Kishës dëshmon për gatishmërinë e Perëndisë për të ndihmuar e bekuar Kishën e Tij në pendimin përulës e reformim. Perëndia sjell reformim në Kishën e Tij përmes ri-fronëzimit të Fjalës në Kishë. Mbreti Josia “lexoi në prani të tyre tërë fjalët e librit të besëlidhjes, që ishte gjetur në shtëpinë e Zotit… lidhi një besëlidhje përpara Zotit, duke u zotuar të ndiqte Zotin, të respektonte porositë dhe statutet e tij me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, për të zbatuar në praktikë fjalët e kësaj besëlidhje, të shkruara në atë libër. Tërë populli e pranoi besëlidhjen.” (2 Mbreterve 23:2-3)

Në kohën e Reformimit nën Ezrën, “Ata lexonin në librin e ligjit të Perëndisë në mënyrë të qartë, duke shpjeguar domethënien e tij, me qëllim që të kuptonin atë që lexohej.” (Nehemia 8:8)

Detyra që del nga Juda 1:3 është “të luftoni për besimin, që u qe trasmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë.” Ai shton “duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë, duke u lutur në Frymën e Shenjtë… kini dhemshuri për atë që dyshon… shpëtojini të tjerët me druajtje, duke ia rrëmbyer zjarrit.” Për rrjedhojë, koha kërkon që drejtuesit e Kishave duhet që të:

  1. Rrëfejnë e pendohen përpara Perëndisë për frymën e botës ndër ne.
  2. Përulësisht t’i kërkojnë Perëndisë urtësinë dhe hirin e nevojshëm për reformimin e Kishës së Tij.
  3. Kërkojnë drejtimin e Perëndisë që na është dhënë në Fjalën e pagabueshme dhe të plot-mjaftueshme të Perëndisë.
  4. Ngritja lart dhe përdorimi i mjeteve të zakonshme të Hirit që Perëndia na ka dhuruar dhe urdhëruar në Bibël, e të cilat janë: Lutja, shërbesa e Fjalës, përkujdesa pastorale, pagëzimi, Darka e Zotit dhe miqësia e shenjtorëve (Veprat e Apostujve 2:42, 46-46), adhurimi privat, familjar dhe publik i Perëndisë konform vullnetit të shkruar të Perëndisë dhe jo imagjinatës, trendit e iniciativës njerëzore.

Qëllimi

Qëllimi ynë afatgjatë është:

  1. Ripërtëritja e besimit tonë në ungjillin e Krishtit dhe reformimi i praktikave të shërbesave tona në konform të plotë të Fjalës së Perëndisë. Lëvizje të ndryshme brenda Kishës ungjillore kanë dobësuar jetën e Kishës, kanë devijuar prej besimit dhe praktikave tona historike e biblike. Idhujtaria e zemrave, politizimi i besimit, thithja e pasfiduar e relativizmit teogjik dhe moral, individualizimi i besimit dhe i studimit biblik, rendja e palodhur drejt të qenit kulturalisht dhe shoqërisht relevantë, kanë sjellë braktisjen e të vërtetave biblike, pafuqinë e zvetënimin e dëshmisë, si dhe një jetë personale e kishtare të ungjillorëve të patransformuar prej ungjillit, jetë në të cilën nuk ka më vend për doktrinat historike protestante-ungjillore. Efekti është kisha në gjëndjen që është sot.
  2. Krijimi i një rrjeti ndërmjet drejtuesve, kishave, e organizatave të ndryshme në një bashkëpunim për reformimin e kishës bazuar mbi Deklaratën e Kembrixhit.
  3. Inkurajimi, zemërdhënia, dhe pajisja e njëri-tjetrit me mjetet e duhura për reformimin e kishës.
  4. Thirrja e kishës për në origjinën dhe identitetin e saj historik dhe teologjik, të përkufizuar nga pesë solat e Reformacionit.

Qëllimi ynë afatshkurtër, për këtë takim të parë:

  1. Identifikimi i elementit njerëzor, i kishave apo i organizatave të reformuar apo në rrugën drejt reformimit në trojet shqiptare.
  2. Inkurajimi i të pranishmëve në qëndresën e tyre për ungjillin e patjetërsuar të Krishtit.
  3. Identifikimi dhe analizimi i sfidave tona, si dhe i ungjillit gjysmak që po predikohet prej shumë vitesh në trojet Shqiptare.
  4. Diskutimi i hapur mbi mënyrat, mjetet e resurset që të pranishmit zotërojnë për inkurajimin, thellimin dhe shtrirjen e reformimit të kishës në tërë trojet shqipfolëse.
  5. Strategjizimi e organizimi i një lëvizje të mundshme reformuese.

Plani

Plani ynë për këtë eveniment të parë është:

  1. Takimi tek salla e Kishës së Reformuar të Durresit, si kisha sponsorizuese dhe bashkë-organizuese e takimit.
  2. Sesioni i Parë është të Premten, me datë 11 Tetor, Ora 18:00. Takimi do të jetë gjysmë-formal. Do të jetë fleksibël për nga orari i mbarimit e pushimet e ndërmjetme dhe e hapur për bisedë e debat të lirë edhe pse do të ndjekë nje bosht ndihmues të përcaktuar më parë.
    1. Do të fillohet me një darkë të lehtë qe sigurohet nga kisha pritëse.
    2. Shërbesa e Fjalës
    3. Pikat 1-3 të Qëllimit Afatshkurtër. (Shiko më sipër)
    4. Kohë për Pendim, rrëfim, Lutje
  3. Sesioni i Dytë është të Shtunën, me datë 12 Tetor, ora 9-12.
    1. Do të vazhdohet diskutimi me pikën 3-5 të Qëllimit Afatshkurtër.
    2. Konkluzionet / Vendime
    3. Kohë lutje.
    4. Me pas kohë miqësie apo dreka personale sipas dëshirës.

Moderatorë për ketë takim te parë do të jetë Elton Tahirllari, ndërsa Pastor Albert Kona i Kishës së Reformuar Durrës do të japë inkurajimin nga Fjala e Perëndisë.

Adresa:

Kisha Reformuar Durres. Perballe ish-Rajonit te Policise. Rrugica Kadri Pirro. Godina e pare djathtas sapo futesh ne rrugice. Kati i pare. Ndiq këtë lidhje (http://goo.gl/zlJIsv) për të parë hartën ne GoogleMaps.

 

Organizatoret

Albert Kona dhe Elton Tahirllari

www.paserresiresdrita.com

Berti: 0694096081

Eltoni: 0694010119

 

 

Leave a Comment