sdg solat e reformacionit

Soli Deo Gloria (II) – “Njeriu Jeton dhe Vepron Vetëm për Lavdinë e Perëndisë”


“Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë” (1 Korintasve. 10:31).

Përse Duhet të Lavdërojmë Perëndinë?

Soli Deo Gloria. Kjo është Sola e pestë e Reformacionit Evropian të shekullit të 16. Kjo solë përkthehet: Vetëm Perëndisë Lavdia. Javën e kaluar pamë se si qëllimi i vetëm, më i lartë dhe përfundimtar i Perëndisë është lavdia e Tij dhe vetëm lavdia e Tij. Perëndia ekziston dhe vepron vetëm për lavdinë e Tij. Lavdia e vet është për Perëndinë në qendër të afeksioneve të Tij.  Isaiah. 48:11 thotë: “Nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri.” Në çdo gjë që Perëndia bën, qëllimi i Tij është të ruajë, të mbrojë, të lartësojë dhe shpalosë lavdinë e Tij. Të thuash që lavdia e vet është për Perëndinë në qendër të afeksioneve të Tij është të thuash që Perëndia e konsideron lavdinë e Tij si gjëja më e vlefshme mbi çdo gjë. Perëndia kënaqet me lavdinë e Tij mbi çdo gjë tjetër.

Dhe si mund të mos jetë kështu. Kjo është çfarë të gjithë krijesat shpirtërore bëjnë. Të gjithë ata që janë frymorë, engjëjt, dhe njeriu janë të krijuar për të pasur një kauzë në këtë jetë, për të pasur një diçka që është mbi ta, një diçka që është shumë më e vlefshme se sa ata, një diçka që ata të mund ta adhurojnë dhe të ndjejnë kënaqësi në të. Çdonjëri prej jush në këtë sallë ka një objekt për të cilin jeton, mendon natë e ditë, merr frymë, dhe gjen kënaqësi në të. Dhe kuptohet ky objekt që ju keni, ka për ju një vlerë të paçmuar. Për shumë prej jush ky objekt mund të jetë fëmija juaj, bashkëshorti, puna, shëndeti, paraja apo të qënit të lumtur. Po kështu edhe Perëndia. Ai gjithashtu ka një objekt të cilin Ai e konsideron si tepër të shtrenjtë, një objekt që meriton të tërë vëmendjen e dashurinë, madje të tëra afeksionet e tija të shenjta. Meqenëse Perëndia është i shenjtë, i përjetshëm i pafund dhe i pandryshueshëm, Atij i duhet detyrimisht që të ketë në qendër të afeksioneve të Tij vetëm diçka që e meriton vëmendjen dhe afeksionet e Tij; vetëm diçka të shenjtë, diçka të pafund, të përjetshme, të pandryshueshme, diçka që do të jetë përjetësisht atje për ta adhuruar dhe për të gjetur kënaqësi në të. Për ne njerëzit është e thjeshtë që të gjejmë diçka që ti meritojë ndjenjat tona, afeksionet tona, madje edhe diçka më të shtrenjtë se vetja. Por për Perëndinë i vetmi objekt adhurimi dhe kënaqësie mund të jetë vetëm personi i Tij në tërë lavdinë e Tij.

Kur ne flasim për lavdinë e Perëndisë ne flasim për bukurinë dhe madhështinë e pafund të cilësive të Tij të shumta. Ky është përkufizimi i lavdisë së Perëndisë. Lavdia e Perëndisë është bukuria dhe madhështia e pafund e cilësive të Tij të shumta. Perëndia është personi më i vlefshëm që ekziston, dhe si rrjedhim të jetuarit për të vetmen kauzë të pranueshme për Perëndinë, lavdia e Tij, është i vetmi opsion i Tiji. Perëndia mund të ekzistojë dhe veprojë vetëm për lavdinë e Tij, dhe i vetmi person apo kauzë në të cilin Ai mund të gjejë kënaqësi është vetëm lavdia e Tij. Kjo është arsyeja që Perëndia thotë tek Isaiah 48:11: “Nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri.

Kjo është arsyeja që – siç pamë javën e kaluar me referenca nga Bibla –  Bibla thotë se ne jemi të zgjedhur për lavdinë e Tij (Efesianet 1:4-6), të krijuar për lavdinë e Tij (Isaiah 43:7), të thirrur për lavdinë e Tij (Efesianet. 1:6-7), të ruajtur nga braktisja për lavdinë e Tij (1 Sa. 12:20-22), të falur për lavdinë e Tij (Isa 43:25), të shenjtëruar për lavdinë e Tij (Filipianet.1:9-11).

Por çfarë do të thotë kjo për njeriun? Fryma e Shenjtë na zbulon përmes Apostullit Pal implikimin e çfarë thashë më lart: Tek Letra 1 Korintasve 10:31 ai thotë: ““Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.” Është për këtë arsye që Pyetja e parë e Katekizmit tonë thotë kështu:

Pyetja 1: Cili është synimi përfundimtar i njeriut?

Përgjigja: Synimi përfundimtar i njeriut është të lavdërojë Perëndinë dhe të gjejë kënaqësinë në Të.”

Reformacioni rifitoi mësimin Biblik të sovranitetit të Perëndisë mbi çdo aspekt të jetës së njeriut. E gjithë jeta e njeriut duhet jetuar për lavdinë e Perëndisë. Çdo gjë në këtë jetë duhet bërë nën mbretërimin e Jezus Krishtit. Tek Kolosianeve 3:17 Apostulli Pal na urdhëron nga Perëndia me këto fjalë: “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.” Çdo gjë duhet bërë nën mbretërimin dhe zotërimin e Zotit Jezus dhe si rrjedhim edhe për lavdinë e Perëndisë At, Bir dhe Frymë e Shenjtë. Ne mund të kemi profesione të ndryshme në jetë, por thirrjen e kemi të gjithë të njëjtë. Ne të gjithë jemi të thirrur që gjithçka që bëjmë, kudo dhe kurdoherë, ta bëjmë për lavdinë e Perëndisë. “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.” Po kështu, Libri 1  Kronikave 16:29 profeti na urdhëron “Jepini Zotit zulmin që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani para tij. Bini përmbys para Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.” Tek 1 Korintasve 6:20 Apostulli urdhëron “Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.” Jeni të blerë me një çmim. Ju nuk i përkisni më vetes tuaj. Në fakt ju kurrë nuk i keni përkitur vetes tuaj. Kur ju ishit nën mëkat ju ishit skllav të mëkatit tuaj, të dëshirave dhe pasioneve të ligësisë tuaj, dhe në fakt Bibla thotë që ju ishit skllav të princit të kësaj bote, satanit, pavarësisht nëse e dinit apo jo. Por tani që ju jeni të blerë me një çmim, ju i përkisni Princit të Princërve, Mbretit të Mbretërve Jezus Krishtit. Jeni te shpëtuar me qëllim që të jetoni për lavdinë e Perëndisë, lëvdojeni atë në në trupin dhe frymën tuaj.

Çfarë Është të Lavdërosh Perëndinë?

Lavdërimi i Perëndisë konsiston në katër gjëra: (a) Vlerësim, (b) Adhurim, (c) Dashuri, dhe (d) Nënshtrim.

Të lavdërosh Perëndinë do të thotë ta vlerësosh Atë mbi çdo gjë tjetër në këtë univers. Në fakt një nga përkufizimet e mëkatit që ne mund të kemi është kjo: Mëkati është mosvlerësimi i asaj që vlerëson Perëndia. Pali shkruan tek Filipianet 4:8: “Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.” Në këtë pasazh ne jemi të urdhëruar të vlerësojmë ato gjëra që janë të vërteta, të ndershme, të shenjta, ta pastra, të drejta, që e meritojnë lëvdimin. Po kush tjetër veç Perëndisë nuk i plotëson më mirë këto kushte? Perëndia vlerëson veten e Tij mbi çdo gjë pasi është i tillë. Mos-vlerësimi i Perëndisë dhe i lavdisë së Tij është mëkat. Psalmi. 92:8 na ofron mendimet që ne duhet të kemi për Perëndinë tonë: “Por ti, o Zot, mbetesh i Shkëlqyeri përjetë.” Ne duhet të mendojmë dhe meditojmë mbi Psalmin 97:8 “Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.” Në Perëndinë dhe vetëm në Perëndinë ne mund të gjejmë gjithçka që na duhet për tu mrekulluar, për tu kënaqur e mahnitur. Në të gjendet konstelacioni i tërë bukurive shpirtërore, mendore dhe krijuese, pasi gjithçka që shohim është e krijuar prej Tij, e dizenjuar nga Ai në shenjtëri e në zgjuarsi. Ne e lavdërojmë Perëndinë kur ne admirojmë Atë, kur admirojmë atributet e cilësitë e tij të shumta, kur ne admirojmë premtimet e Tij që vinë si pasojë e dashurisë së Tij për ne dhe për lavdinë e Tij, kur ne admirojmë hirin e Tij që na është shfaqur në Krishtin Jezus, kur ne admirojmë hirin e Tij praktik në jetët tona. Ne e lavdërojmë Perëndinë kur ne admirojmë efektet e mrekullueshme të fuqisë dhe zgjuarsisë së Tij në krijimin e kësaj bote e cila është quajtur “vepra e gishtërinjve të Tij” në Psalmin 8:3. Të lavdërosh Perëndinë është të kesh mendime admiruese për Perëndinë, ta vlerësosh atë mbi çdo gjë tjetër.

Të lavdërosh Perëndinë do të thotë ta adhurosh Atë. Psalmi. 29:2 thotë “I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.” Ne e lavdërojmë Perëndinë kur ne e adhurojmë atë. Adhurimi është një prerogativë, një e drejtë që i takon vetëm Perëndisë. Një përkufizim tjetër i mëkatit është ky: Mëkati është refuzimi për të adhuruar Perëndinë. Mëkati është dhënia e adhurimit që i takon Perëndisë dikujt tjetër të krijuar prej Tij. Kjo është idhujtari: dhënia e adhurimit që i takon Krijuesit – krijesës së Tij. Tek Romaket 1 Pali shkruan për këtë gjë këto fjalë: [Njerëzit] “nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua…. dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve.” Mëkati është dhënia e adhurimit që i takn dikujt më të vlefshëm – dikujt tjetër më pak të vlefshëm. Mëkati është një përpjekje për të zhvlerësuar Perëndinë.

Por kur flasim për lavdërimin e Perëndisë përmes adhurimit, ne duhet gjithashtu që të cilësojmë edhe se si ne duhet që ta adhurojmë atë. Sot ekziston një teori që pretendon se Perëndia është i kënaqur me ne për aq kohë sa ne e adhurojmë atë me sinqeritet, pavarësisht nga mënyra apo forma se si ne e adhurojmë atë. Kjo teori thotë se ne mund të fusim si pjesë te shërbimit të adhurimit të dielave çfarëdolloj gjëje që të na shkojë ndër mend, për aq kohë sa e bëjmë me gjithë zemër.  Kjo teori kujton se Perëndia thotë: “Aman, vetëm më adhuroni mua me gjithë zemër pa bëjeni si të doni.” Krishti thotë tek Gjoni 4: Unë kërkoj adhurues “në frymë dhe në të vërtetë,” adhurues që do ta adhurojmë Perëndinë edhe me gjithë zemër, por edhe në përputhje të plotë me Fjalën e Shkruar të Tij.

Të lavdërosh Perëndinë do të thotë ta duash Atë.  Perëndia është më i lavdëruar nga ne kur Ai është objekti suprem i dashurisë tonë. Tek Bes. Rip 6:5 Perëndia na thotë: “Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.” Perëndia na urdhëron që ta duam Atë, dhe jo  vetëm kaq, por ta duam Atë me një dashuri që prodhon kënaqësi në ne. Të gjithë ne kemi miq apo shokë të ngushtë, fëmijë a familjarë në prezencën e të cilëve ne gjejmë kënaqësi. Perëndia dëshiron nga ne që të ndjejmë kënaqësi në dashurinë tonë për të. “Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm,” thotë Pali tek Romaket 7:22.  Zemra e të Krishterit e ndjen si një realitet të brendshëm Psalmi. 63:1 që thotë “O Zot, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë.” Apo Psalmi. 42:2 “Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?” Të lavdërish Perëndinë do të thotë ta duash Atë, të duash prezencën e Tij në çdo moment, të lëngosh për momentin kur do të merresh në Prezencën e Krishtit ditën e ndërrimit të jetës. Atëherë dhe vetëm atëherë dashuria jonë fillon të konsumojë plotësisht, emocionet dhe afeksionet tona do të fillojnë të punojnë siç duhet dhe me kapacitet të plotë pasi janë në fakt të krijuara për të shijuar Perëndinë dhe par ta lavdëruar atë.

Të lavdërosh Perëndinë do të thotë së fundi ti nënshtrohesh Atij, tja dedikosh jetën dhe punën tënde Atij, dhe të qëndrosh i veshur e i gatshëm për ti shërbyer Atij. Kjo është mënyra se si engjëjt në qiej e lavdërojnë Atë. Ata presin me përulje para fronit të Tij për detyrën e radhës. Kjo është arsyeja përse në arkën e besëlidhjes statujat e kerubinëve janë të modeluar me krahë të shtrirë të gatshëm për fluturim. Ne e lavdërojmë Perëndinë kur ne i jemi dedikuar shërbimit të Tij, kur mendja jonë qëndron e hapur përpara Tij për të marrë mesazhin e Biblës të lexuar apo të predikuar nga shërbëtori i Tij; kur gjuha jonë i lutet Atij për nevojat e Mbretërisë, kur duart tona punojnë për të ndihmuar popullin e Tij. Kur dijetarët nga lindja e gjetën Birin e Perëndisë me Marien në stallë, jo vetëm që e adhuruan atë siç thotë Mateu 2:11 por “…pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.” Kështu, edhe ne duhet të sjellim tek Perëndia jo vetëm adhurimin tonë por edhe dhuratën e artë të bindjes. i krishteri është si dielli, që jo vetëm lëshon një adhurim të nxehtë nga një zemër në zjarr për Perëndinë, por edhe rrotullohet në orbitën e përcaktuar nga Perëndia për të në bindje të plotë.

Të lavdërosh Perëndinë do të thotë të vlerësosh Atë mbi çdo gjë, ta adhurosh atë dhe vetëm atë, ta duash atë me gjithë mendjen, zemrën dhe forcën tënde, dhe ti nënshtrohesh atij me gjithë zemër dhe pa vonesë a hezitim.

Si Mund ta Lavdërojmë Perëndinë?

             Ne e lavdërojmë Perëndinë kur ne i pranojmë dhe i rrëfejmë mëkatet tona. Ne letren e  1 te Gjonit 1:10 thotë: “Po të themi se s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.” Tek Libri i Jozeu 7:14 lexojmë se si Jozeu i tha Akanit, njërit prej luftëtarëve të tij që kishte vjedhur nga plaçka e luftës që ishte e destinuar për shkatërrim këto fjalë: “Biri im, të lutem, mbushe me lavdi Zotin, Perëndinë e Izraelit, rrëfeji atij dhe …thuaj atë që ke bërë; mos [e] fshih.” Mohimi ynë fyen Perëndinë, e bën atë gënjeshtar. Por pranimi dhe rrëfimi i mëkateve tona e lavdëron Atë. Mbani mënd se si Adami pasi mëkatoi i tha Perëndisë” Perëndi, gruaja që Ti më dhe më dha të haja nga pema e ndaluar.” Në mëkatin e tij Adami u përpoq që të bënte Perëndinë bashkëfajtor të mëkatit të tij. Nga ana tjetër, pranimi dhe rrëfimi ynë në fakt i sjell lavdi Perëndisë pasi e shpall Perëndinë të shenjtë, të gjithëdijshëm, të kudo-gjindshëm, të drejtë dhe të plotfuqishëm. Kjo është se si rrëfimi ynë i sjell lavde Perëndisë.

          Ne e lavdërojmë Perëndinë kur i besojmë Birit të Tij Jezus Krisht. Tek Romaket 4:20 lexojmë që Abrahami i besoi premtimit të Perëndisë dhe u përforcua në besim duke i dhënë kështu lavdi Perëndisë. Mosbesimi e ofendon Perëndinë pasi e quan atë gënjeshtar.Tek letra 1 Gjonit 5:10 thotë “ai që nuk beson te Perëndia, e ka bërë atë gënjeshtar, sepse nuk i besoi dëshmisë që Perëndia dha për Birin e tij.” Gjoni 3:33 thotë se “ai që e pranoi dëshminë e tij e vulos se Perëndia është i vërtetë.” Ai që i beson Perëndisë arratiset për tek Ai për shpëtim dhe ndihmë. Psalmi 31:5 thotë “Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.” Mënyra më e lartë për ti sjellë lavdi Perëndisë është ti besosh Atij, ti besosh fjalës dhe premtimeve të tij, ti besosh atij jetën dhe shpëtimin tënd, ti besosh Birit të Tij, ti besosh atij trupin tënd dhe familjen tënde.

          Ne e lavdërojmë Perëndinë kur ne bëhemi xheloz dhe të prekshëm për lavdinë e Tij. Lavdia e atributeve të Tij është për Perëndinë si drita e syrit për njeriun. Një fëmijë i vërtetë do të prekesh shumë nëse do të lëndohesh nderi i babait të tij. Psalmi 69:9 thotë “Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua.” Kur lavdia e Perëndisë preket ne duhet të ndjehemi të prekur, kur lavdia e tij shnderohet, ne duhet të ndjehemi të shnderuar.

          Ne e lavdërojmë Perëndinë duke qenë të frytshëm si besimtarë në këtë jetë. Krishti tha tek Gjoni 15:8 “Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt.” Tek Philipianet 1:11 lexojmë që Pali instrukton kështu: “të mbushur me fryte drejtësie që arrihen me anë të Jezu Krishtit, dhe që janë për lavdi e për lëvdim të Perëndisë.” Tek Mateu 5:16 Krishti thotë: “Le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.” Të Krishterë, ne jemi të thirrur në shpëtim me qëllim që të mos jetojmë për veten tonë por për lavdinë e Perëndisë duke dhënë fryte drejtësie, të shenjtëruara nga besimi ynë dhe nga drejtësia e Krishtit, dhe si pasojë e fryteve tona, bota do të shohë, dhe edhe ajo do ta lavdërojë Perëndinë At, Bir, dhe Frymë e Shenjtë.

          Ne e lavdërojmë Perëndinë duke mos mërmëritur kundra vendimeve dhe veprimeve të Tij. Pali thotë tek Philipianet 4:11 “unë jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam.” Këtë e thotë Apostulli Pal i cili shkruan tek 2 Korintasve 11 “në mundime më tepër, në goditje më tepër, në burgje më tepër dhe shpesh në rrezik për vdekje. 24 Nga Judenjtë mora pesë herë nga dyzetë kamxhikë pa një. 25 Tri herë më rrahën me shkopinj, një herë më qëlluan me gurë, tri herë m’u mbyt anija në det, kalova një ditë e një natë në humnerë. 26 Në udhëtime të shpeshta në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkatdhetarëve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe midis vëllezërve të rremë, 27 në lodhje e në mundim, në netët pa gjumë, në uri e në etje, shpesh herë në agjërime, në të ftohtë dhe në të zhveshur.” Kjo ishte jeta e Palit si Apostull i Krishtit, e megjithatë Pali shkruan “unë jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam.” Pali na inkurajon që të mos mërmërisim kundra providences së Perëndisë, kundra planit të Tij për jetën tonë, kundra zbatimit të planit të Perëndisë në jetën tonë pasi kjo i sjell lavdi Perëndisë. Të qenit i kënaqur me providencën e Perëndisë i jep lavdi zgjuarsisë, urtësisë dhe largpamësisë së Perëndisë, ajo shpall se i beson planit të Perëndisë dhe aftësisë së Tij për të realizuar planin e Tij për lavdinë e Tij, për avancimin e Mbretërisë së tij dhe për të mirën e popullit të Tij. Pali thotë persa i përket providencës së Perëndisë “…ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Romaket 8:28).

          Ne e lavdërojmë Perëndinë kur ne jetojmë një jetë të shenjtë.Ne Letren 1 Pjetrit. 2:9 thotë “Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme.” Një jetë jo e shenjtë e s’nderon Perëndinë.Tek Letra Romakeve  2:24 thotë “Për shkakun tuaj, emri i Perëndisë blasfemohet ndër johebrenj.” Një jetë e shenjtë e lavdëron Perëndinë përpara jo-besimtarëve, një jetë jo e shenjtë e blasfemon Perëndinë përpara jo-besimtarëve.

          Ne e lavdërojmë Perëndinë në një masë shumë më të lartë kur ne madje edhe vuajmë për të dhe e vulosim ungjillin e Tij me gjakun tonë. Dëgjoni fjalët e Krishtit drejtuar Apostullit Pjetër, që në fakt i takojnë tërë kishës, marrë nga Gjoni 21:18-19: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t’i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje”. 19 i tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç’vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë.” Lavdia e Perëndisë shkëlqen përmes shkrumbit e hirit të trupave të djegur e kryqëzuar të martirëve të Tij.

          Ne e lavdërojmë Perëndinë kur ne jetojmë për të.Ne Letren 2 Korintasve. 4:15 na e jep të saktë arsyen përse Krishti vdiq në kryq për ne: “Ai ka vdekur për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, po për atë që vdiq dhe u ringjall për ta.” Kjo është arsyeja përse Krishti vdiq dhe u ringjall për ju, ju bleu ju që ju të jetoni për Krishtin, për lavdinë e Tij, pasi ju nuk i përkisni më vetes por jeni të blerë me gjakun e Tij dhe i takoni Perëndisë. Me Palin tek Filipianet. 1:20 ne duhet të themi: “Krishti do të madhërohet në trupin tim, ose me jetën ose me vdekjen time.”

Çdo gjë në këtë jetë duhet bërë nën mbretërimin e Krishtit dhe si rrjedhim për lavdinë e Perëndisë. Ne mund të kemi profesione të ndryshme në jetë, por thirrjen e kemi të gjithë të njëjtë. Të adhurojmë dhe lavdërojmë atë kudo dhe kurdoherë me gjithë mendjen, zemrën dhe fuqinë tonë. Ne punë, në shkollë, në pension, në kamje apo skamje, në të mirë apo në të keqe, në shëndet apo në sëmundje, në punë apo në papunësi, në përjetimet e së kaluarës apo në të ardhmen e panjohur për ne – Perëndia duhet lavdëruar. Vërtetë, me Apostullin Pal ne duhet të lutemi, të rrëfejmë, të mendojmë e të veprojmë nën këtë moto: “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë” (Letra e 1 Korintasve. 10:31) – Soli Deo Gloria.