ungjilli

Princi i Predikuesve


  Një biografi e Çarls Hadën Spërxhën (Charles Haddon Spurgeon)

 “Shpeshherë më ndodh të mendoj se kur të jem lart në qiell, mbase mund të më kaplojë dëshira për të vizituar punën time këtu në Tabernakull, për të parë nëse do t’i qëndrojë sfidave të kohës duke vazhduar të japë fryt edhe pas ikjes time. A do ta ruani të vërtetën? A do të qëndroni të kapur fort pas të moçmeve doktrina madhështore të Ungjillit? Apo edhe kjo kishë do të marrë rrjedhën që kanë marrë shumë të tjera, duke u larguar nga thjeshtësia e besimit dhe duke u dhënë pas shërbesave të bukura për syrin por të themeluara në doktrina të rreme? Mendoj se nuk kam se ç’të bëj tjetër veçse të kthehem përmbys në varr në ndodhtë kjo. Zot, kurrë mos lejo që kjo të ndodhë!” (Çarls Hadën Spërxhën)

 Çarls Hadën Spërxhën (19 qershor 1834 – 31 janar 1892) ishte një pastor dhe predikues baptist doktrinhirist, shërbesa e të cilit përkoi me periudhën e sundimit të Mbretëreshës Viktoria, ose me atë që njihet ndryshe si periudha viktoriane. Për shkak të predikimeve të tij besnike ndaj Biblës, plot patos e fuqi fjale, në sajë të ndikimit të të cilave mijëra frymë u shpëtuan dhe një kishë e madhe e solide siç është Tabernakulli Metropolitan u kthye në një qendër të fuqishme adhurimi e shërbese në mes të Londrës, Spërxhëni njihet ndryshe si Princi i Predikuesve të krishterë. Për jetën e tij është folur shumë, ndërsa biografitë që janë shkruar rreth këtij personazhi që spikat në historinë e Lëvizjes Ungjillore Britanike të shekullit XIX mbushin një bibliotekë të tërë, ja pse në këtë artikull do të ndalemi vetëm në disa pika të jetës së këtij shërbëtori besnik e të zellshëm të Perëndisë, të cilat mbartin mësime të vlefshme për ne të krishterët doktrinhiristë shqiptarë në ditët e sotme.

Por përpara se ta bëjmë këtë ia vlen të dëgjojmë të rrëfyer prej vetë Spërxhënit historinë e kthimit të tij në besim, gjë që ndodhi në mes të një stuhie dëbore në ditët e para të Janarit të vitit 1850. Spërxhëni ishte nisur për tek kisha e të atit (Gjon Spërxhën, i cili ishte një pastor independent) në Hajth Hill të Kolçesterit, kur një stuhi e tmerrshme dëbore ia preu rrugën, duke e shtyrë që të hynte në sallën ku mblidhej një kishë e vogël metodiste primitive që gjendej në Rrugën e Artilerisë.

Ja se si e rrëfen vetë Spërxhëni këtë moment: “Disa herë mendoj se edhe sot do të dergjesha në terr e dëshpërim, po të mos kishte qenë për mirësinë e Perëndisë, i cili dërgoi një stuhi dëbore të dielën në mëngjes, kur isha në rrugë për tek vendi i adhurimit. Kur e pashë që nuk shkohej dot më tutje, u ktheva në një rrugicë dhe kështu mbërrita tek një kapelë e vogël metodiste primitive. Aty brenda gjeta të mbledhur jo më shumë se dymbëdhjetë apo pesëmbëdhjetë vetë. Drejtuesi i kishës nuk kishte mundur të vinte për ta drejtuar shërbesën atë ditë: ma merr mendja për shkak të borës së madhe. Kështu që i takoi një varfanjaku, i cili mbase ishte me profesion këpucar a rrobaqepës a diçka e ngjashme, të ngjitej në katedër për të predikuar. Ky tipi nuk bënte gjë tjetër veçse përsëriste vargun e ditës, mbase sepse nuk dinte çfarë të thoshte tjetër. Vargu i ditës ishte: “Shikoni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër” (Isa 45:22)* [*Shënim: Ky është përkthimi në shqip i këtij vargu siç paraqitet tek King James Bible]. Ai as që i shqiptonte si duhet fjalët, por për mua kjo nuk kishte rëndësi, sepse mu duk se pashë një dritë shprese për veten në këtë varg. Ai e filloi kështu predikimin e Tij: “Miqtë e mi, ky është vërtetë një varg shumë i thjeshtë, sepse na thotë: “Shikoni”. Nuk duhet ndonjë përpjekje a mundim i madh për të shikuar. Nuk duhet as ta lëvizim këmbën apo gishtat e dorës, duhet vetëm të “shikojmë”. Nuk na duhet që ta mbarojmë universitetin që të mësojmë se si të shikojmë. Mund të jesh edhe budallai më i madh dhe prapë se prapë mund të shikosh. As nuk të duhet të marrësh një rrogë të majme vjetore që të shikosh. Gjithkush mund të shikojë, madje edhe fëmija më i vogël mund ta bëjë këtë. Por shikoni se çfarë thotë ky varg. Ai thotë: “Shikoni nga Unë”. “Po, është e vërtetë”, tha ai në dialektin e Eseksit, “Shumë prej jush sot shohin drejt vetes. Por nuk ia vlen ta ngulësh shikimin atje, sepse nuk keni për të gjetur ngushëllim tek vetja”. Atëherë, ky njeri i mirë vazhdoi të predikonte në këtë mënyrë: “Shikoni nga Unë, sepse djersa më është e përzier me gjak. Shikoni nga Unë, sepse po varem në kryq. Shikoni nga Unë, vdiqa dhe më varrosën. Shikoni nga Unë, u ringjalla. Shikoni nga Unë se po ngjitem sërish në qiell; shikoni, jam ulur në të djathtë të Atit. Oh, ju lutem, shikoni nga Unë! Shikoni nga Unë!” Pasi vazhdoi nja 10 minuta duke thënë këto fjalë, ai e hodhi vështrimin drejt meje aty ku isha ulur, dhe kam përshtypjen që mes kaq pak njerëzve ai e kuptoi se nuk isha pjesëtar i asaj bashkësie, dhe më tha: “Djalosh, po më dukesh shumë i mjerë”. Është e vërtetë, sepse kështu ndihesha atë të diele, por nuk isha mësuar që dikush nga katedra e predikimit të thoshte fjalë të tilla rreth paraqitjes sime. Megjithatë, ato fjalë më lanë shakull në vend. Ai vazhdoi: “Dhe kështu do të mbetesh i mjerë përjetësisht, i mjerë në jetë dhe i mjerë në vdekje, në qoftë se nuk i bindesh vargut të sotëm. Mirëpo, dije se do të shpëtohesh, në qoftë se i bindesh atij që në këtë çast, pa mënuar”. Atëherë ai bërtiti, siç mund të bëjë vetëm një metodist primitiv: “Djalosh, shiko nga Jezu Krishti”. Dhe në atë moment retë u shpërndanë, terri u shporr tutje, dhe unë pashë diellin, më vinte të ngrihesha dhe të këndoja me të madhe së bashku me ata njerëz për të Çmuarin Gjak të Krishtit”.

Pas këtij kthimi dramatik në besim, Spërxhëni pagëzohet më 3 Maj 1850 në një lumë pranë Isëllhamit, duke u bërë një anëtar aktiv i një kishe baptiste që gjendej në atë qytezë. Nga fundi i atij viti, ai mban predikimin e parë të fjalës përpara një grupi besimtarësh në një shtëpi fshati në Teversham, pranë Kembrixhit. Qysh prej atij predikimi të parë bie në sy dhuntia e Spërxhënit për ndarjen e Shkrimit, shërbesë të cilën siç e thamë më sipër ai e kryente duke i qëndruar besnik Biblës, duke folur me një gjuhë të thjeshtë e të qartë, por plot patos e fuqi fjale. Duke e njohur këtë dhunti të Spërxhënit, një kishë baptiste në Uotërbiç, Kembrixhshajër, e thërret të shërbejë si pastori i saj në vitin 1852, ndërsa me udhëzim të Bashkimit Baptist të Britanisë së Madhe, Spërxhën caktohet si pastori i ri i Nju Park Strit Chepëll në Sauthark të Londrës, bashkësi e cila më herët qe drejtuar nga figura të njohura të lëvizjes baptiste doktrinhiriste, sikurse hartuesi dhe nënshkruesi i Rrëfimit Baptist të Londrës të vitit 1689, Benxhamin Kiç, teologu Gjon Gill, si dhe Gjon Ripon, bashkësi e cila në atë kohë po humbiste besimtarë dita ditës për shkak të transformimit ekonomiko-shoqëror të zonës ku gjendej. Falë shërbesës ngulmuese dhe besnike të fjalës nga ana e Spërxhënit, anëtarësia e Nju Park Strit Chepëll do të njohë veç rritje qysh prej emërimit të tij në detyrën pastorale, rritje e cila e arriti pikën e saj kulmore në ngritjen e një ndërtese të re në vitin 1861 dhe në shndërrimin e kësaj bashkësie në Tabernakullin Metropolitan.

Pikërisht në këtë pikë ia vlen të ndalemi për të theksuar mësimin e parë që marrim nga Spërxhëni: Gjithë jetën e tij, ai nuk bëri gjë tjetër veçse predikoi me zell e besnikëri Shkrimin e Shenjtë, duke shpallur pa frikë e fuqishëm Sovranitetin absolut të Perëndisë dhe mëkatshmërinë tërësore të njeriut, rënien dhe shthurjen e të plotë të këtij të fundit. Këtë ai e bëri përkundër qasjes liberale e pragmatiste që karakterizonte ungjillorizmin e kohës së tij, i cili kishte nisur të dorëzohej përpara frymës Perëndi-mohuese e Bibël-zhvleftësuese të epokës, duke hequr dorë prej shumë doktrinave thelbësore në lidhje me Zotin Jezu Krisht, veprën e Tij shpëtuese dhe me pagabueshmërinë e Biblës, apo duke e zbehur rëndësinë e tyre për kishën dhe besimtarët. Pa dëgjoni pak këto fjalë që thotë Suzana Spërxhën, bashkëshortja e Princit të Predikuesve, në lidhje me bashkëshortin e saj të dashur: “Më ndodh shpesh të mendoj për arsyet se përse Çarli është kaq i pëlqyer nga njerëzit, aq më tepër duke pasur parasysh se asnjëherë nuk ua bën qejfin turmave që të fitojë pëlqimin dhe aprovimin e tyre. Ndodh shpesh që mesazhi i tij është i ashpër, megjithëse ai ia komunikon publikut me një zemër të butë. Një herë e dëgjova të thotë: “Nuk do t’ia përshtatim Biblën kësaj epoke, por kur të kemi mbaruar punë, falë hirit të Perëndisë, do ta kemi përshtatur këtë epokë me Biblën.” Synimi dhe përpjekja e tij e vazhdueshme është të kënaqë Perëndinë në vend që të argëtojë njerëzit. Kam arritur në përfundimin se janë pikërisht ndershmëria dhe integriteti i tij, por dhe konfidenca e tij molepsëse në Shkrimin e Shenjtë, ato që i tërheqin njerëzit tek ai”. Ka vëllezër që thonë se Spërxhëni u predikoi gjatë jetës së vet më pak se 60-vjeçare 10,000,000 njerëzve, duke përfshirë këtu edhe Mbretëreshën Viktoria, anëtarë të tjerë të familjes mbretërore të kohës, deputetë të parlamentit britanik, Kryeministrin britanik Uilliam Gladstoun, shkrimtarin Gjon Raskin, aktivisten Florens Najtingeil, dhe Gjeneralin Xhejms Garfild, i cili më pas do të zgjidhej si President i Shteteve Të Bashkuara të Amerikës. Sipas burimeve të tjera, kaq i angazhuar në detyrën e shenjtë të ndarjes së fjalës ishte Spërxhëni sa që shpesh i ndodhte të predikonte 10 herë në javë në kisha dhe bashkësi të tjera, përveç Tabernakullit Metropolitan.

Nuk mund ta lë pa përmendur një episod nga jeta e Spërxhënit, i cili tregon se sa e rëndësishme është prania e besimtarëve të mirëformuar nga ana doktrinore në jetët e besimtarëve të rinj. Meri King ishte kuzhinierja e shëndoshë dhe trupfortë e Akademisë Njumarket në Kembrixh, shkollë në të cilën Spërxhëni 15-vjeçar u regjistrua në vitin 1849. Gjatë dy viteve të mëpasme, “kuzhinierja”, kështu e thërrisnin studentët me përkëdheli Zj. King, do ta ushqente djaloshin Spërxhën jo vetëm me ushqim material, por edhe me atë frymëror. Ja se ç’tregon Spërxhën në autobiografinë e vet në lidhje me “kuzhinieren”: “Ajo ishte një grua e perëndishme, së cilës i pëlqenin gjëra të tilla të mira, sikurse doktrinat e shëndosha kalviniste… Sa e sa herë fola me të rreth besëlidhjes së hirit, zgjedhjes personale të shenjtorëve, bashkimit të tyre me Krishtin, ngulmimit të tyre deri në fund, dhe për atë se çfarë do të thotë perëndishmëri që sjell jetë, dhe besoj se prej saj mësova shumë më tepër se do të kisha mësuar prej nja gjashtë doktorëve të teologjisë nga ata që kemi në ditët e sotme”. Megjithëse njohuria e saj rreth Shkrimit ishte mbresëlënëse, Zj. King ishte gjithashtu edhe një grua e perëndishme në çdo aspekt të jetës së saj të krishterë, një grua që ashtu siç i “ushqente fort” studentët e saj e “jetonte fort” jetën e besimit në tërësinë e saj. “Ka disa të Krishterë që e shijojnë, shohin dhe kënaqen me besimin në jetët e tyre dhe që fitojnë një njohuri kaq të thellë rreth tij, njohuri të cilën asnjë libër nuk ta fal edhe po ta kaloje jetën duke kërkuar për të nëpër libra”, shkruan Spërxhën, duke e bërë të qartë se Zj. King ishte pikërisht një prej këtyre të krishterëve. Princi i predikuesve nuk e harroi kurrë Zj. King dhe rolin formues që ajo kishte luajtur në jetën e tij, aq sa shumë shpesh u thoshte njerëzve përreth vetes: “Pa mendoni, ishte një kuzhiniere ajo që ma mësoi teologjinë!” Në fakt kur mori vesh se ajo gjendej në vështirësi ekonomike, Spërxhëni u kujdes për mirëqenien e Zj. King duke i dërguar rregullisht çeqe deri në ditën e fundit të jetës së saj. Shembulli i Zj. King duhet të na frymëzojë të gjithëve ne, besimtarëve me përvojë në jetën e besimit, sepse ashtu si ajo edhe ne jemi të thirrur që t’i ndërtojmë nga ana doktrinore besimtarët e rinj përreth nesh. Të gjithë jemi të thirrur të jemi studiues dhe njohës të mirë të doktrinave të besimit tonë, pra, teologë të mirë, dhe po ashtu të gjithë jemi të thirrur që t’i ndërtojmë besimtarët e rinj në doktrinë të shëndoshë, sikundër janë edhe doktrinat e hirit.

Siç e thashë më sipër Spërxhëni e zhvilloi shërbesën e tij në një periudhë historike kur lëvizja ungjillore britanike, por edhe vetë Bashkimi Baptist pjesë e të cilit ishte Tabernakulli Metropolitan, kishte filluar të molepsej prej një fryme liberale e pragmatiste, e cila në thelb të saj kishte degradimin apo zhvleftësimin e Biblës, si edhe heqjen dorë prej shumë doktrinave thelbësore në lidhje me Zotin Jezu Krisht dhe veprën e Tij shpëtuese. Kur i shtojmë kësaj edhe faktin se një pjesë e mirë e Bashkimit Baptist e kishte vështirë ta gëlltiste doktrinhirizmin e pakompromis të Spërxhënit dhe po rrëshqiste gjithnjë e më hapur drejt Arminianzmit, bëhet edhe më e qartë natyra e konfliktit në të cilin Spërxhëni luajti një rol aq thelbësor për mbrojtjen e doktrinës së shëndoshë në fundin e viteve 80 të shek. XIX. Polemika mes Spërxhënit dhe degraduesve apo zhvleftësuesve siç i quante ai, e cila vazhdonte prej vitesh nën rrogoz, shpërtheu publikisht pasi që dy artikuj të shkruar nga Spërxhëni u botuan tek revista e Tabenakullit Metropolitan Shpata & Mistria në Mars dhe Prill të vitit 1887. Në këto artikuj ai denonconte saktë e shkoqur indiferencën e Baptistëve britanikë ndaj doktrinës së shëndoshë, e cila sipas tij shfaqej qartë në degradimin apo zhvleftësimin e Biblës për shkak të përqafimit në masë e naiv nga ana e tyre të asaj teorie hermeneutike që njihej ndryshe kritika moderne biblike. Mirëpo, siç e shihte me largpamësi Spërxhëni, rezultati përfundimtari i kësaj teorie nuk ishte gjë tjetër veçse zhveshja e Biblës nga autoriteti i saj hyjnor si Zbulesa e shkruar e Perëndisë dhe kthimi i saj në një vepër letrare të ngjashme me kryeveprat e letërsisë botërore. Polemikat vazhduan në publik dhe jashtë syve të publikut, por asnjëra nga palët nuk hoqi dorë nga qëndrimet e saj. Kështu konflikti i degradimit apo i zhvleftësimit, siç është bërë i njohur në historinë e kishës, përfundoi me daljen e Tabernakullit Metropolitan nga Bashkimi Baptist në 26 Tetor 1887. Si kundërpërgjigje ndaj këtij veprimi të Spërxhënit dhe bashkësisë së tij, më 18 Janar të 1888, Bashkimi Baptist miratoi një mocion censure (kritikë publike) ndaj Princit të predikuesve, predikuesit më të mirënjohur të mbarë Bashkimit. Në të gjithë këtë histori Spërxhëni na jep një mësim të vyer për atë se si duhet luftuar për doktrinën e shëndoshë dhe se si duhet mbrojtur ajo edhe atëherë kur përballë kemi vëllezër në besim, të cilët kanë filluar ta shpërfillin e degradojnë doktrinën e drejtë, ngaqë janë dorëzuar përpara frymës së epokës. Spërxhëni ngrihet vigan mbi historinë e kishës në Shek. XIX, duke na bërë thirrje që të ngulmojmë deri në fund dhe të mos e dorëzojmë as Biblën dhe as doktrinat e hirit përkundër përpjekjeve të kishës ungjillore moderne për ta zbutur të parën dhe për t’i neutralizuar të dytat.

Spërxhëni përbën një shembull frymëzues për të gjithë ne të krishterët doktrinhiristë të ditëve të sotme për zellin, besnikërinë dhe këmbënguljen, me të cilën i shërbeu Zotit përkundër vuajtjeve, sëmundjeve, sprovave, dhe madje edhe depresionit, të cilat qenë bashkudhëtarë të pandashëm të viteve të shërbesës së tij. Në fillimet e shërbesës së tij Spërxhëni pësoi një fatkeqësi të madhe. Ja se ç’ndodhi: në tetor të vitit 1856, bashkësia e tij duhet të mbante një shërbesë në Pallatin e Muzikës që gjendej në Kopshtet Mbretërore të Sareit, sepse ndërtesa e kishës nuk i mbante dot ata mijëra vetë që vinin për të dëgjuar Princin e Predikuesve çdo të diele. Mirëpo, ndërsa Spërxhëni kishte nisur predikimin në Pallatin e mbushur me 10,000 njerëz, dikush ia priti: “Zjarr, zjarr!” dhe befas paniku e pushtoi sallën. Në përpjekje për të dalë nxitimthi nga salla, njerëzit u përplasën dhe shtypën njëri tjetrin. Shtatë të vdekur dhe dhjetra të plagosur ishte bilanci i kësaj ngjarjeje tragjike. Pas saj, Spërxhëni kaloi një tension të madh mendor, i cili dyshohet se mund të ketë qenë dhe shkaku kryesor i depresionit që do ta kapte për herë të parë dy vjet më pas. “Nuk besoj se ka pasur ndonjë frymë tjetër që iu afrua aq shumë furrës së çmendurisë e megjithatë shpëtoi prej saj për një qime”, do të shkruante më vonë Spërxhëni në lidhje me vuajtjet emocionale e mendore që e pasuan tragjedinë e Pallatit të Muzikës. Një shok i Spërxhënit thoshte gjithnjë se ka shumë gjasa që vdekja në një moshë aq të re e Princit të Predikuesve të ketë ndodhur edhe për shkak të “kalvarit të vuajtjeve mendore, të cilat ai i përjetoi pas asaj nate të frikshme”. Mirëpo, Spërxhëni përjetoi edhe vuajtje familjare, për shkak të shëndetit të bashkëshortes së tij, si dhe pamundësisë së saj për t’i dhënë atij më shumë se dy fëmijë. Suzana Tompson Spërxhën lindi dy binjakë, Tomas dhe Çarls Spërxhën Xhunior, disa muaj pas tragjedisë së Pallatit të Muzikës, dhe më pas ajo nuk pati mundësi t’i jepte fëmijë të tjerë Princit të predikuesve, i cili me sa duket kishte shumë dëshirë të kishte sa më shumë fëmijë, si për të imituar familjen e tij, e cila përbëhej prej tetë fëmijëve bashkë me Spërxhënin. Në vitin 1865, në moshën 33-vjecare Suzana Spërxhën kthehet në një invalide për shkak të një sëmundjeje të pashpjegueshme, dhe nuk arrin të shërohet as pas një operacioni që kreu mbi të katër vjet më pas Xhejms Simpson, babai i gjinekologjisë moderne. Këtyre vuajtjeve duhet t’u shtojmë edhe vuajtjet fizike që i shkaktonin Spërxhënit sëmundjet e tij të shumta, por dhe depresioni. Ai vuante nga cerma, reumatizma dhe sëmundja e Brajtit (inflamacioni i veshkave). Për shkak të sëmundjeve dhe dhimbjeve që i shkaktonin ato ai u detyrua të largohej shpesh e më shpesh nga kisha e tij për periudha pushimesh në jug të Francës, në qytezën e Mentonit, ku edhe do të vdiste më 31 Janar të vitit 1892. Në këtë pikë nuk kemi se si të mos flasim për betejat e shpeshta të Spërxhënit me depresionin. Shpërthimi i parë i depresionit ndodhi në vitin 1858, ose dy vjet pas tragjedisë së Pallatit të Muzikës. Është shumë e vështirë ta përfytyrojmë Spërxhënin, Princin e predikuesve, shërbëtorin e Zotit plot energji, dhunti, mendjemprehtësi dhe aftësi drejtuese, të qante porsi një foshnje e të mbyllej në vetvete i rrethuar nga errësira e depresionit pa asnjë shkak e krejt papritmas. Mirëpo, siç tregon vetë Spërxhëni, aspekti më i keq i depresionit ishte mungesa e shpresës, e cila binte si një re e zezë dhe mbytëse mbi të: “Ai shuli i hekurt, i cili në një mënyrë kaq të mistershme e kyç derën e shpresës dhe i mban frymët tona në një burg të zi e të zymtë, atë shul vetëm një dorë hyjnore mund ta hapë”. Megjithatë, Spërxhëni e shihte depresionin si “vesin” e tij më të madh. “Depresioni”, thoshte ai, “nuk është virtyt, madje unë besoj se është një ves. Më vjen shumë turp nga vetja kur bie në depresion, por jam edhe po aq i sigurt se nuk ka kurë më të mirë për të sesa besimi i shenjtë në Perëndinë”. Në mbyllje të kapitullit të vuajtjeve të Spërxhënit duhet të themi se përveç vuajtjeve fizike e familjare, Spërxhënit iu desh të duronte edhe një jetë të tërë talljesh dhe shpifjesh, të cilat në shumicën e rasteve qarkullonin përmes medias dhe ishin të llojit më të keq të mundshëm. Ndodhte që gazetat e asaj kohe shkruanin keq për të, por edhe kolegë të tij që nuk linin rast pa e përçmuar dhe pa u tallur me Princin e predikuesve, madje disa shkuan deri aty sa vunë në dyshim kthimin e tij në besim dhe thirrjen e tij për shërbesë. Mirëpo, vuajtjet më të mëdha në këtë drejtim iu shkaktuan gjatë konfliktit të degradimit apo zhvleftësimit me Bashkimin Baptist në fundin e viteve 80 të Shek. XIX. “Nuk ka njeri që mund të flasë më keq për mua sesa kanë bërë këta. Kanë shpifur për mua nga koka tek këmbët dhe më kanë keqparaqitur përpara opinionit publik deri aty ku nuk mban më. Reputacioni im ka mbaruar dhe nuk kanë se çfarë dëmi të më bëjnë tjetër,” do të thoshte Spërxhëni në lidhje me këtë periudhë. Megjithatë, përkundër gjithë këtyre vuajtjeve dhe përndjekjeve Spërxhëni ngulmoi në shërbesën e tij deri në fund, duke predikuar fuqishëm Fjalën e Perëndisë deri në predikimin e fundit, të cilin e ai mbajti më 7 qershor të vitit 1891.

Një gjë tjetër që më pëlqen tek Spërxhëni është pasioni dhe zelli i tij për shpëtimin e frymëve të humbura nga skllavëria e mëkatit për në jetë të përjetshme. Nuk kishte javë që një numër njerëzish të mos ktheheshin në besim tek lexonin predikimet e tij të zjarrta dhe biblike, të cilat botoheshin rregullisht falë një shërbese besnike të Tabernakullit Metropolitan. Ai dhe pleqtë e kishës së tij qëndronin përherë syçelë për të identifikuar frymët që po rilindnin brenda bashkësisë së tyre të madhe. “Një vëlla,” shkruante Spërxhëni, “ka fituar për veten titullin e qenit tim të gjahut, sepse gjithnjë është në gatishmëri për të kapur zogjtë e plagosur brenda bashkësisë”. Spërxhëni nuk ekzagjeronte aspak kur tha: “Më kujtohet kur predikoja nëpër fshatra, ndodhte shpesh që me gjithë frymën time vuaja për shpëtimin e të humburve, atëherë e ndjeja se si çdo nerv i trupit tim tendosej dhe arrija deri aty sa prej syve të mi mund të rridhte çurg në formë lotësh e gjithë brendësia e trupit tim, vetëm e vetëm që të fitoja për Krishtin qoftë edhe një frymë të vetme”. Nuk gabojmë aspak po të themi se Spërxhëni e kaloi jetën duke u tretur nga lavdia e Perëndisë dhe për shpëtimin e të humburve.

Tek po shkruaj këto rreshta rreth Princit të Predikuesve, nuk mund të rri pa përmendur një prej veprave të Tij më të mirënjohura, më të botuara dhe më të përkthyera anekënd botës. Bëhet fjalë për libërthin e leximeve devocionale Mëngjes dhe Mbrëmje, të cilin kam pasur privilegjin ta përkthej para do vitesh në gjuhën shqipe. Ndalem tek këto lexime devocionale sepse ato na paraqesin një tablo mbresëlënëse të perëndishmërisë së zellshme, të frytshme dhe aktive që e përshkonte jetën e Spërxhënit si filli i kuq i Arianës. Ky është, pra, vëllezër dhe motra, një mësim tjetër që marrim nga Spërxhëni, pra, që suksesi i shërbesës të tij predikuese dhe pastorale kishte një burim të vetëm: një jetë besimi të gjallë, një jetë lutjeje të pareshtur, një jetë përuljeje përpara Zotit dhe varësie të plotë nga Perëndia, por edhe një jetë lufte kundër mëkatit dhe gjërave të pashenjta. Dëgjojeni pak se ç’shkruan Spërxhëni tek leximet e datës 30 maj në lidhje me mëkatin: “Shumë vuajtje mund të shkaktojë një tumor i vogël. Një re e vogël mund ta mbulojë tërë diellin. Dhelprat e vogla i dëmtojnë vreshtat dhe mëkatet e vogla bëjnë zarare të mëdha në një zemër të butë si kjo e jona. Mëkatet e vogla bëjnë strofulla në zemër dhe e mbushin atë plot me gjëra të cilat Krishti i urren shumë, duke bërë që Ai të mos ketë përbashkësi dhe shoqëri të papenguar me ne. Një mëkat i madh nuk mund ta shkatërrojë të Krishterin, por një mëkat i vogël mund ta bëjë jetën e tij të mjerë. I Krishterë ç’punë ke ti me mëkatin? A nuk të kushtoi shtrenjtë ajo vepër e ligë? Fëmijë i djegur përse vazhdon të luash me zjarrin? Çfarë, kur i ke shpëtuar një herë dhëmbëve të luanit, ç’do që shkon prapë tek strofulla e tij? A nuk ke vuajtur shumë nga gjarpri i moçëm?” Ja një lexim tjetër që na flet për hirin e pafund të Zotit tonë Jezu Krisht: “Zoti ynë Jezus na jep pa reshtur dhe nuk e mbledh dorën e tij për asnjë moment të vetëm. Për sa kohë që ka një enë hiri që nuk është mbushur plot, vaji do të derdhet pa kursim. Ai është dielli që shkëlqen përherë, Ai është manna që bie pa pushim përreth kampit, Ai është shkëmbi në shkretëtirë nga brinjët e tejshpuara të të cilit burojnë vazhdimisht rrjedha jete, shiu i hirit të Tij bie pa reshtur, lumi i bollëkut të Tij rrjedh pambarimisht, dhe po ashtu edhe burimi i dashurisë së Tij gurgullon me bollëk”. Në fund ja edhe disa rreshta të tjerë të shkruar nga Spërxhën në leximin e datës 5 prill rreth përulësisë së frymës: “Përulësia e frymës është gjithmonë mbartëse e një bekimi të vërtetë. Nëse i zbrazim zemrat tona nga dashuria për veten me siguri Zoti do t’i mbushë ato me dashurinë e Tij. Ai që dëshiron një përbashkësi më të ngushtë me Krishtin duhet t’i kujtojë këto fjalë të Zotit: “Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime”. Përkuluni nëse doni të ngjiteni në qiell. A nuk themi ne vallë për Jezusin: “Ai zbriti me qëllim që të ngjitej?” Ashtu si Ai duhet të bësh edhe ti. Duhet të rritesh për poshtë që të ngjitesh lart, sepse përbashkësinë më të ëmbël me qiellin e kanë veç frymët e përulura dhe vetëm ato. Perëndia nuk i mohon asnjë bekim një fryme plotësisht të përulur”.

Mirëpo, jeta e Spërxhënit nuk ishte vetëm shërbesa e fjalës dhe ajo pastorale, sepse për Princin e predikuesve përkujdesja për shtresat në nevojë, e veçanërisht për fëmijët e rrugës dhe ata të familjeve të varfra, ishte po aq e rëndësishme sa e mësipërmja. Ja pse, në vitin 1857 ai themeloi një organizatë humanitare, e cila quhet Spurgeon’s dhe vepron sot në mbarë botën. Veprimtaria kryesore e kësaj organizate ishte ndërtimi i jetimoreve dhe i atyre që njiheshin ndryshe si Shkollat Rreckamane, në të cilat u grumbulluan me dhjetëra fëmijë, shumica prej tyre jetimë, të cilët endeshin nëpër qytet duke jetuar si lypsarë, hajdutë, apo vagabondë. Këta fëmijë më së fundi kishin një strehë ku të fusnin kokën, një tryezë ku të hanin gjellë të ngrohta e të shijshme, por edhe shkolla ku të mësonin shkrim e këndim, aritmetikë e histori, si edhe Fjalën e Zotit. Siç thoshte vetë Spërxhëni: “Ne jemi një kishë e madhe, ndaj duhet të kemi një zemër të madhe për këtë qytet”. Ja pra tek është një mësim të vlefshëm në këtë pikë, sepse edhe ne të krishterët e sotëm doktrinhiristë duhet të kemi një zemër të madhe për qytetet ku jetojmë, duke ndihmuar më të dobëtit, të cilët në shumicën e rasteve janë jetimët dhe fëmijët e rrugës. Mirëpo, përpjekjet e Spërxhënit nuk kufizoheshin në hapjen dhe menaxhimin e përditshëm të dhjetëra jetimoreve dhe Shkollave Rreckamane anembanë Londrës, sepse ai qe veçanërisht aktiv në ngritjen e strukturave që do të përgatisnin për shërbesë shërbëtorët e Perëndisë. Fryti i këtij angazhimi të pakursyer të Spërxhënit ishte hapja e Kolegjit të Pastorëve, ose siç njihet sot Kolegji i Spërxhënit (Spurgeon’s College). Në hapjen e tij në vitin 1861, kolegji numëronte 21 studentë, numër i cili u rrit në vitet pasuese deri në 100 studentë gjatë një viti akademik. Mirëpo ky nuk ishte një Seminar Teologjik apo një Kolegj Bible si gjithë të tjerët, sepse siç thotë një bashkëpunëtor i Spërxhënit: “Ngado që të vinin njerëzit, për të gjithë ishte shumë e qartë se Kolegji nuk ekzistonte për të bërë shërbëtorë por për t’i trajnuar ata. Po qe se dikush nuk jepte prova të qarta se ishte thirrur për të predikuar… ai nuk ishte i mirëpritur, sado të mëdha të ishin dhuntitë e tij në një fushë tjetër”.

Dëshiroj ta mbyll këtë artikull me fjalët që tha njëri prej kolegëve e ndihmësve të Spërxhënit në veprën e shërbesës, i miri Arçibald G. Braun, ndërkohë që arkivoli me trupin e Princit të Predikuesve, i cili kishte mbi vete një Bibël të hapur pikërisht tek faqja ku gjendet Isaia 45:22 (vargu i rilindjes së Spërxhënit), po mbulohej me dhe. Nuk besoj se ka fjalë më të përshtatshme sesa këto për ta përshkruar jetën e përkushtuar të shërbesës që jetoi Princi i predikuesve:

“Punëtor i palodhur i arave, mundi yt ka përfunduar. Sa të drejta janë hullitë që ke hapur. Asnjëherë nuk e ktheve kokën pas tek lëroje arat. Sa të korra të bollshme kanë prodhuar farat që ke mbjellë plot durim, sa shumë e ke pasuruar qiellin me duajt që ke lidhur dhe sa shumë do të vazhdojë të pasurohet në vitet që do të vijnë megjithëse prehesh në përjetësi. Kampion i Perëndisë, betejat e tua, në të cilat ke luftuar aq gjatë e me fisnikëri, kanë përfunduar; shpata jote, të cilën kurrë nuk e hoqe nga dora, ka rënë tashmë, sepse e ke zëvendësuar me një degë palme. Përkrenarja nuk ta shtyp më ballin aq shpesh të lodhur nga mendimet vërshuese rreth betejave, një kurorë fitimtari është vendosur mbi të nga dora e Komandantit të madh duke qenë shpërblimi yt plotësisht i kënaqshëm. Në këtë varr, do të pushojë për pak kohë pluhuri yt i çmuar. Pastaj do të vijë Shumë i dashuri yt dhe me të dëgjuar zërin e Tij do të ngrihesh sakaq nga banesa jote prej dheu, duke pasur të njëjtin trup të lavdishëm si edhe Ai vetë. Atëherë do të ndodhë që me trup, frymë e zemër do të madhështosh shpengimin e Zotit. Deri atëherë fli o i dashuri ynë. E lëvdojmë Perëndinë për ty dhe nëpërmjet gjakut të besëlidhjes së përjetshme shpresojmë dhe presim të përlëvdojmë Perëndinë së bashku me ty. Amen”.