Permbledhja e Njohurise Shpetuese

PJESA E PARË – KREU II


Zgjidhja për të Zgjedhurit sigurohet në Jezus Krisht përmes Besëlidhjes së Hirit.

Ti je shkatërruar, o Izrael, sepse je kundër meje, kundër ndihmës sate.” Hosea 13:9.

I. Edhe pse njeriu, pasi e ka sjellë veten në një gjendje të tillë mjerimi, është i paaftë ta ndihmojë vetveten dhe as nuk dëshiron që Perëndia ta nxjerrë nga ky mjerim, por ka tendencë të qëndrojë pasiv e i pandjeshëm ndaj këtij mjerimi gjer në pikën e shfarosjes, prapë se prapë Perëndia, për lavdi të hirit të tij të vyer, ka zbuluar një rrugë në Fjalën e tij për të shpëtuar mëkatarët, që është rruga përmes besimit në Jezus Krishtin, Birin e përjetshëm të Perëndisë, si rezultat dhe si vijueshmëri e besëlidhjes së shpengimit, e bërë dhe e lidhur përmes Perëndisë At dhe Perëndisë Bir, në Këshillin e Trinisë, përpara se bota të ekzistonte.

II. Përmbledhja e besëlidhjes së shpengimit është kjo: Perëndia, pasi kishte zgjedhur lirisht për jetën e amshuar një numër të caktuar prej njerëzimit të mjerë që përpara fillimit të botës dhe vetëm për lavdinë e hirit të tij të bollshëm, ia dha këta Perëndisë Bir me detyrën e Shpenguesit, i cili, nëse do ta përulte vetveten deri aty sa të merrte natyrën njerëzore, një shpirt dhe një trup, të bashkuar në një person të vetëm me natyrën e tij hyjnore, dhe nëse do t’i nënshtrohej ligjit si garanci për këta dhe do të kënaqte drejtësinë në vendin e tyre, duke treguar bindje në emër të tyre deri në vuajtjen e vdekjes së mallkuar në kryq, atëherë Ai do të shpagonte e do të shpengonte të gjithë këta prej mëkatit dhe prej vdekjes, dhe do të blinte drejtësi dhe jetë të përjetshme për ta – së bashku me gjithë hiret shpëtuese që të drejtojnë në to – të cilat do të zbatohen efektivisht e në kohën e duhur në gjithsecilin prej këtyre të zgjedhurve. Biri i Perëndisë (i cili është Jezus Krishti, Zoti Ynë) e pranoi këtë kusht përpara fillimit të botës dhe në plotësinë e kohës erdhi në botë, u lind prej virgjëreshës Mari, e nënshtroi veten ndaj ligjit dhe pagoi plotësisht shpagimin në kryq. Ndaj, si pasojë e marrëveshjes së lartpërmendur të lidhur përpara fillimit të botës, ai është gjithnjë duke punuar, që prej rënies së Adamit, për zbatimin efektiv tek të përzgjedhurit të të gjithë këtyre përfitimeve të siguruara. Ai e siguron këtë duke hyrë në një besëlidhje hiri e pajtimi me ta, përmes besimit në të. Përmes kësaj besëlidhje, ai i jep çdo besimtari një të drejtë dhe një interesim për Të, e për të gjithë bekimet e Tij.

III. Për plotësimin e kësaj besëlidhje shpengimi, dhe për t’i bërë të përzgjedhurit pjesëmarrës të përfitimeve që pasojnë prej besëlidhjes së hirit, Krishti Jezus u vesh me ofiqin e trefishtë të Profetit, Priftit dhe Mbretit: Ai u bë një Profet për të shfaqur të gjithë njohurinë shpëtuese popullit të tij, dhe t’i bind ata për ta besuar dhe për ta zbatuar këtë njohuri. Ai u bë një Prift për ta ofruar vetveten si një sakrificë, njëherë e për të gjithë ata, dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht tek Ati, në mënyrë që ata, si dhe shërbesa e tyre, të jetë e pranueshme për Atin. Ai u bë një Mbret për t’i nënshtruar ata për vete, t’i ushqej dhe sundoj ata përmes urdhërimeve të caktuara prej tij, si edhe t’i mbrojë ata prej armiqve të tyre.