predikime

Njerez qe Humben Krishtlindjen


Në javën e parë të Qershorit të vitit 1944, Generali i famshëm Gjerman, Feldmareshal Erëin J.E. Rommel, i njohur ndryshe si “Dhelpra e Shkretëtirës,” po forconte fortifikimet mbrojtëse në bregdetin perëndimor të Francës, përfshi edhe Normandinë, fortifikime që ndërtoheshin kundra sulmit të pritshëm të Aleatëve Perëndimor kundra invazionit Hitlerian për çlirimin e Evropës. Rommeli e pat fituar nofkën “Dhelpra e Shkretëtirës” për shkak të taktikave dhe strategjisë që përdori në fushatën ushtarake në Afrikën e Veriut nga 1941-1943. Ai ishte i bindur se Gjermania do ta humbiste luftën nëse Aleatët do të arrinin të zbarkonin në Francë. Dhe kështu, ai kishte bërë gjithçka që mund të bënte për mbrojtjen e bregdetit, dhe meqë përkeqësimi i motit, në atë fillim të Qershorit e kishte bërë në dukje të vështirë zbarkimin e Aleatëve, Rommeli mori disa ditë pushim që të ishte në Berlin me 6 Qershor për ditëlindjen e bashkëshortes së tij. Sot, 6 Qershori festohet si dita e zbarkimit të Aleatëve në Normandi, dhe njihet ndryshe si D-Day, dhe në fakt është dita kur u thye fuqia Hitleriane dhe kur u sigurua fitorja e ardhshme e luftës së Dytë Botërore në favor të Aleatëve.

Rommeli ishte një gjeneral që e kuptonte rëndësinë historike të zbarkimit të Aleatëve në Normandi. Ai bëri tërë përgatitjet për të mos e lejuar atë gjë. Por kur zbarkimi nisi, Rommeli nuk ishte atje sepse ishte i angazhuar me gjëra të tjera. Rommeli kishte humbur shansin e tij për shkak të angazhimeve të tjera të jetës.

Shumë njerëz të tjerë përgjatë tërë historisë së njerëzimit kanë patur fatin e Rommelit. Por nga të gjitha këto raste, më tragjikja është historia e atyre që kanë humbur Krishtlindjen, madje vetë Krishtin për shkak të angazhimeve të tjera të jetës. Kur flas për njerëz që humbën Krishtlindjen, sigurisht që së pari i referohem atyre që humben shansin për të përjetuar Krishtlindjen e parë, lindjen e Zotit Jezus Krisht. Por gjithashtu unë sot i adresohem edhe atyre që humbasin sot Krishtlindjen, gjënë më të rëndësishme që ekziston, vetë Zotin Krisht për shkak të angazhimeve dytësore. Dhe kjo është tragjedia e kohës tonë.

Hanxhiu

Personi i parë që të vjen në mendje si njeriu që ishte më afër Krishtlindjes por po aq edhe larg saj, është hanxhiu i hanit ku nuk bujtën Maria dhe Jozefi, dhe ku nuk u lind Krishti. Tek Ungjilli i Lukës 2:7 lexojmë se Maria e lindi Krishtin “e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.Bibla nuk e përmend hanxhiun, emri i tij nuk dihet, sepse nuk ka arsye që emri i tij të mbahet mend. Por dihet që çdo han ka një hanxhi apo hanxhesh. Dekreti i Cezar Augustit për një census të përgjithshëm të tërë Perandorisë Romake, kishte shkaktuar me siguri një prurje vizitorësh në qytetin e vogël të Betlehemit, që nuk njihej si qytet turistik dhe që do të thoshte një impenjim të paparë dhe fitime të konsiderueshme për të zotin e hanit të vetëm të qytetit. Frederich Buechner është një shkrimtar Amerikan i cili ka shkruar një version ta dramatizuar nga këndvështrimi i hanxhiut të arsyes se përse ai nuk është në historinë e Krishtlindjes, dhe kështu në imagjinatën e Buechner, hanxhiu shfajësohet kështu:

“Unë të flas si njeri i kësaj bote,” tha Hanxhiu. “Jo si një idealist, por si një realist. A e di ti se cdo të thotë të kesh hotel, të drejtosh një biznes, një familje, të drejtosh gjithçka që ka rëndësi në këtë botë? Është si të humbasësh në një pyll prej njëmilion pemësh,” tha Hanxhiu, “dhe çdo pemë është një gjë mëshumë që duhet bërë. A u ndërruan çarçafët? A i veshën fëmijët palltot? A i bënë detyrat? A kemi para mjaftueshëm sa për të mbyllur muajin? Sot kemi se ç’të hamë dhe se ç’të veshim, por nesër si do t’ia bëjmë? Një milion pemë. Një milion gjëra…ne nuk kemi mundësi për të tjera gjëra, nuk kemi sy mjaftueshëm për ndonjë gjë tjetër, dhe çfarëdo lloj gjëje tjetër të shikojmë kthehet në një pemë më shumë.”[1]

Bota ka qenë dhe është e mbushur sot me hanxhinj të tillë, njerëz që e konsiderojnë veten realist, por që në fakt janë materialistë që nuk përjetojnë mrekullinë, bekimin dhe kuptimin e Krishtlindjes thjesht për shkak të preokupimeve të shumta të jetës, punës, familjes, shoqërisë, pushtetit, parasë, influencës, etj.

Në këtë moment nuk po i referohem jo-besimtarëve të kësaj bote, njerëzve që tashmë janë larg Krishtit dhe Krishtlindjes. Nuk mund të qortohet Cezar Augusti se humbi Krishtlindjen. Ai ishte tepër larg për të mos e humbur atë. Nuk mund të qortohen Grekët apo Babilonasit, pasi ishin tepër larg Krishtit. Ata që duhet të qortohen janë qytetarët e Betlehemit, Judenjtë, populli i Perëndisë sipas Dhiatës së Vjetër. Sot duhet të qortohet në Krishterët, sepse janë pikërisht ata që duhet të vënë re realitetin, kuptimin dhe implikimin që ka për ne trupëzimi i Perëndisë, dhe lindja e tij si njeri përmes Maries. Jemi ne ata që duhet të vëmë re më shumë kuptimin dhe mrekullinë e lindjes së Krishtit, e ardhjes së Perëndisë në këtë botë me qëllim që të vuajë për ne, që të vdesë për ne, që të ngjallet që ne të kemi jetë përjetësisht.

Vite më parë, pastori i njohur A. W. Tozer i shqetësuar për shpërqendrimin që pësojnë të Krishterët për shkak të preokupimeve të kësaj bote shkroi:

Çdo epokë ka karakteristikat e veta. Sot ne jetojmë në epokën e kompleksitetit, qoftë ajo religjioz apo jo. Thjeshtësia që ishte në Krishtin është e rrallë në botën e sotme. Në vend të saj shikojmë projekte, metoda, organizata dhe një botë aktivitetesh frenetike që mbushin kohën dhe të vjedhin vëmendjen por që kurrë nuk mund të kënaqin apo përmbushin dëshirimin e vakumin e zemrave tona. Cekëtia e përjetimeve tona të brendshme, cekëtia e adhurimit, dhe imitimi servil që ne i bëjmë botës dëshmojnë se ne sot e njohim Perëndinë shumë pak dhe se paqja e tij rradhëherë gjendet brenda nesh. Nëse ne duam ta gjemë Perëndinë, ne duhet të kalojmë përmes kompleksitetit të kësaj bote përmes metodës së thjeshtësisë.[2]

Po kështu, le të mos harrojmë se veprimet tona nuk kanë pasoja vetëm për ne por edhe për ata rreth nesh. Së bashku me hanxhiun, atë Krishtlindje të parë e humbën edhe familja dhe të afërmit e tij, madje edhe bujtës të rastit që providenca e Perëndisë i pat sjellë aty atë natë. Për shkak të preokupimeve të jetës, hanxhiu humbi rastin që të shikonte, ti shërbente dhe të adhuronte Krishtin, ai dhe familja e tij, si edhe humbi rastin që të drejtonte të tjerët gjithashtu tek Perëndia-njeri, dhe në fjalët e Nolit, ai dhe të afërmit e tij ishin anës dritës të paparë.

Herodi

Personi i dytë që humbi Krishtlindjen e parë ishte Herodi. Herodi ishte një Hebre dhe mbreti kukull i Izraelit i komanduar nga Roma. Herodi ishte plotësisht antipatik, një dhelpër e vjetër, fajtor për shumë vrasje, përfshi këtu të paktën për vrasjen e gruas dhe tre fëmijëve të tij. Si çdo politikan e vrasës ai nuk kishte fe. Ai mund të ishte vetëm një cinik. Ai e njihte traditën e Izraelit, e kishte Biblën, kishte në shërbim të tij studiues, priftërinj e teologë, dhe ai shumë thjesht mund të mos e kishte humbur shansin për të qenë një aktori pozitiv në dramën e madhe të shpëtimit që Perëndia po aktivizonte për bekimin e tërë botës, por mbi të gjitha ai mund të kishte qenë vetë tek këmbët e Krishtit për falje, për adhurim e shërbim.

Ungjilli i Mateut na tregon se Herodi ishte në shtëpinë e tij në Jerusalem kur i erdhi lajmi i një delegacioni nga Lindja që kërkonte të vizitonte dhe adhuronte mbretin e porsalindur. Ata po pyesnin nëpër qytet se ku mund ta gjenin mbretin e porsalindur, Mesinë. Herodi u shqetësua pa masë nga ky lajm. Ai thirri drejtuesit religjiozë të vendit për të zbuluar nga Dhiata e Vjetër se ku duhej të lindte Mesia. Përgjigja që i erdhi ishte-Në Betlehem! Kështu ai e drejton delegacionin nga Lindja për në Betlehem me kërkesën që sapo ta gjenin Mesinë, Mbretin e porsalindur, ti raportonin atij që edhe ai të bënte të njëjtën gjë. “Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më njoftoni që të vij edhe unë ta adhuroj,” (Mateu 2:8). Por qëllimi ishte vrasja jo adhurimi i Perëndisë-njeri, ishte mëkati dhe jo shpëtimi i vetvetes, ishte rendja drejt shkatërrimit të plotë të shpirtit të tij dhe jo rendja drejt hirit shpëtues të Perëndisë.

Kështu Herodi kishte tërë informacionin e duhur për shpëtimin e tij, dinte vendin, Shkrimet, madje ai dinte edhe kuptimin e Krishtlindjes, mund të kishte përfituar nga aplikimi i hirit të Perëndisë në jetën e tij por ai i humbi të tëra këto shanse për shkak të lakmisë e ambicies që robëronte zemrën e tij.

Shumë njerëz kudo në botë humbasin shansin për të përjetuar dhe për tu bekuar me gjërat e mira të kësaj bote që vijnë nga dora bujare e Perëndisë për shkak të ambicies dhe interesit vetjak që i robëron. Akoma më shumë humbasin shansin për tu takuar me Krishtin, për të marrë faljen, për të lënë tek këmbët e tij barrën e fajit e mëkateve, dhe për të qenë vërtetë të lirë në Krishtin. Ambiciozëve të kësaj bote Krishti u thotë “Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?” (Marku 3:36). Ambicia jote më e madhe duhet të jetë të gjesh dhe të kapesh përmes krahëve të besimit pas Krishtit, atij që zbriti e hyri në këtë botë nga dashuria i tij për ty, dhe që madje edhe vdiq që të bëhej Shpëtimtari yt.

Drejtuesit Fetarë

Disa persona të tjerë që humbën Krishtlindjen ishin edhe drejtuesit fetarë të Izraelit, kryepriftërinjtë, skribët e farisenjtë. Nëse kishte persona që nuk duhet ta humbnin shansin për të rendur tek këmbët e Krishtit ishin pikërisht ky grup njerëzish pasi ishin ata më shumë se çdo kategori njerëzish të tjerë në tërë Izraelin që kishin kohën dhe mundësi për të dalluar Krishtin që kishte ardhur në përputhje me profecitë e Dhiatës së Vjetër. Ata kishin Shkrimet. A nuk ishin ata që instruktuar Herodin dhe Dijetarët nga Lindja për vendlindjen e Mesisë? E megjithatë ata nuk lëvizën nga vendi dhe nuk shkuan në Betlehem së bashku me Dijetarët për ta pritur, adhuruar e për ti shërbyer Krishtit. Ata që u tregonin të tjerëve rrugën nuk e ndoqën vetë atë.

Çfarë i pengoi ata për ta bërë këtë gjë? Nuk mund ta themi me siguri, por ndoshta ishte letargjia shpirtërore që karakterizonte këtë klasë njerëzish në kohën e Krishtit. Ndoshta ishte krenaria në faktin që vetë Herodi pati nevojë për ekspertizën e tyre. Ndoshta ishte mendjemadhësia e njerëzve të rëndësishëm e të pushtetshëm që jetojnë nëpër kryeqytetet e botës dhe pranë pushtetarëve të fuqishëm e të pasur si Herodi. Ndoshta ishte fakti që ata nuk kishin ne zemër dashurinë për Perëndinë. Krishti pat thënë për ta njëherë “Por unë ju njoh, që nuk keni dashurinë e Perëndisë në ju. Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni,” (Gjoni 5:42-43).

Këtë e shikon në të gjitha religjionet e botës, por ajo çfarë duhet të na shqetësojë është kur kjo gjendet në mes të kishave të vërteta të Krishtit. Shumë të Krishterë e drejtues Kishash mund të jenë në gjendje ti përgjigjen pyetjeve të vështira biblike apo teologjike, por mund të mos kenë etjen për të njohur Perëndinë. Shumë vetë mund të dinë gjëra mbi Perëndinë por mund të mos e njohin atë vetë. Bota ka njohur mjaft teologë ateiste e priftërinj jobesimtarë. Shumë të Krishterë nuk e njohin dhe nuk e përjetojnë atë realitetin e prezencën jetësore e gëzimdhënëse të Zotit Jezus Krisht. Kuptohet që njohja është e rëndësishme, ne mund ta njohim Perëndinë vetëm nëse njohim Krishtin siç na është zbuluar në faqet e Biblës. Sigurisht që ne duhet të lexojmë e studiojmë Biblën rregullisht, sistematikisht dhe madje me laps në dorë. Kështu bënin edhe farisenjtë e priftërinjtë e Izraelit, dhe këtyre Krishti u tha: “Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua. Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën” (Ungjilli i Gjonit 5:39-40). Ti o njeri mund ta njohësh e studiosh Biblën që dëshmon për Krishtin, e megjithatë mund të mos e zbulosh atë atje. Madje ti edhe mund edhe të mos i besosh atij edhe pasi ta kesh zbuluar Krishtin atje dhe pse mund të mos kesh asnjë arsye racionale për të mos i besuar atij. E megjithatë kërkon jetën e përjetshme e paqen me Perëndinë. Nëse do jetën duhet të duash Krishtin, nëse do paqen me Perëndinë duhet të pranosh sakrificën që Krishti bëri për ty në Kryqin e Golgotës. Krishti tha “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3). Nuk ka jetë pa Krishtin, nuk ka jetë jashtë Krishtit. Prandaj Apostulli Pal thotë atyre që besojnë se “jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë” (Letra Drejtuar Kolosianëve 3:3). Qëllimi nuk është njohja e Biblës por e Autorit të Biblës. Dhe vetëm nëse ne njohim Krishtin ne mund të njohim Perëndinë.

A e njeh ti Autorin e Biblës, të jetës së përjetshme, të vetë ekzistencës tënde? Nëse do ta njihje jeta jote do të ndryshonte radikalisht. Ti do të gjeje më së fundi përmbushjen e boshllëkut që jehon brenda zemrës tënde. Zemra jote do të gjente prehje nëse ajo do të prehej në krahët e Krishtit. Ti madje do të harroje vetveten. Ti do të çliroheshe jo vetëm nga frika e vdekjes, nga barra e fajit të mëkatit që të rëndon, por madje edhe nga meskiniteti i kësaj jete. Ti nuk do të kishe më frika nga Perëndia, nga bota, nga vetja, nga jeta dhe madje as edhe nga vdekja.  Ti do të ndjeje një dashuri të re, ta pa provuar më parë, ta pa shpjegueshme, një dashuri pasiononte për Perëndinë dhe për njeriun, një dashuri që do të të shtynte të të bëje gjëra të mrekullueshme ta. Ti më së fundi do të kishe arritur në shtëpi, do të ishe i/e plotë dhe i/e lumtur. Jeta jote do të ishte e fshehur bashkë me Krishtin në zemrën e Perëndisë. Kjo është arsyeja përse Perëndia u trupëzua, jetoi ndër ne, e madje vdiq i kryqëzuar nga ne…për ne, për ty. Përule pra vetveten, lerë krenarinë, prano që ti ke nevojë për Zotin, për Krishtin. Shko tek Ai. Ai tashmë të ka ftuar që ta bësh këtë gjë kur të tha “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj,” (Ungjilli Sipas Mateut 11:28-29).



[1] Buechner, Frederick. The Magnificent Defeat. New York: Seabury Press, 1966, faqe 66-67.

 

[2] Tozer, A. Ë. The Pursuit of God. Harrisburg, Pa: Christian Publications, 1948, faqe 17-18.