DavidiGoliathi predikime

Nje mesim rreth atributeve te Perendise prej nje çunaku qimepadirsur (1 Samuelit 17:1-54)


Sa për informacion ky është mbase një ndër kapitujt më të lexuar dhe më të predikuar nëpër grupet rinore të kishave ungjillore. Nuk ka mbetur pastor ungjillor të rinjsh apo drejtues të rinjsh nëpër kishat ungjillore pa predikuar mbi këtë kapitull për t’i treguar përmes tij të rinjve ungjillorë se si të mposhtin gjigantët e këqij, me të cilët ballafaqohen ditë për ditë në jetën e tyre. Madje, mbaj mend që edhe unë kur kam predikuar për herë të parë rreth këtij kapitulli kam folur bash për këtë, pra, si t’i vrasim gjigantët e ligj dhe të këqij me të cilët ndeshemi në jetën e besimit. Mirëpo, fatkeqësisht as ata dhe as unë deri para pak kohësh nuk e kisha kapur thelbin e kapitullit, i cili rreh diku tjetër, gjë të cilën do ta shohim më poshtë.

Në këtë kapitull çunaku Davidi na jep një mësim të mirë rreth atributeve kryesore të Perëndisë, të cilat paraqiten nëpër vargje qartë, saktë e përmbledhtazi. Ky është çelësi i vetëm i duhur për ta zbërthyer si duhet këtë pasazh dhe për ta bërë atë që ndajë me ne visaret që fshihen brenda tij.

Mirëpo, për të kuptuar më mirë se çfarë po ndodh, na nevojitet edhe një vështrim i shkurtër në periudhën historike, në të cilën ndodh historia e përshkruar tek 1 Samuelit 17:1-54. Është një periudhë e vështirë për Izraelin, sepse popullin e Perëndisë e sulmonin armiq nga të katër anët. Në momentin kur zhvillohet beteja e rrëfyer në pasazhin nën shqyrtim, armiqtë kryesorë ishin filistejtë. Luftërat me ta vazhdonin prej disa dhjetëvjeçarësh, aq sa mund të themi se kanë kaluar nja dy-tre breza qëkurse kishin filluar. Izraeli ndërkohë e pat humbur qetësinë dhe paqen e brendshme, vendi kishte hyrë në një periudhë të rrëmujshme tranzicioni, sepse profeti Samuel ka kohë që i ka prishur marrëdhëniet me mbretin e vendit, Saulin, i cili megjithëse u zgjodh nga Zoti ngriti krye kundër Hyjit disa kapituj më parë dhe për këtë arsye i është hequr mbretëria. Mbretëria i është dhënë Davidit, megjithëse mbreti Saul nuk e di ende këtë fakt. Njerëzit e zgjodhën gjithë qejf Saulin, por tani po e shohin se atij po i vjen fundi, sepse nuk është më i aftë as ta qeverisë vendin dhe as t’i udhëheqë në betejë ushtritë e Izraelit. Ai njeri që atyre u dukej aq i madh e i fortë kur e zgjodhën, befas qe zvogëluar kaq shumë në sytë e tyre sa mbase ata po e pyesnin veten: Po ku vajtëm dhe e zgjodhëm si mbret këtë dështakun neve? Izraelitët kishin kohë që nuk ecnin më në rrugët e Zotit siç kishin bërë më parë, kishin nisur të adhuronin idhujt, dhe madje edhe bijtë e Samuelit ishin korruptuar (1 Samuelit 8:1-3).

E shohim hijen e kësaj situate historike tek zgjatet kërcënuese mbi rreshtat e parë të këtij kapitulli, ndërkohë që të dyja ushtritë rreshtohen në fushëbetejë njëra përballë tjetrës. Dhe çfarë ndodh në këtë betejë: Izraelitët hyjnë në të zemërlëshuar, në mbrojtje të një vendi në pragun e trazirave dhe të drejtuar nga një mbret që mbahet me thonj e me dhëmbë pas një froni, të cilin e ka humbur tashmë. Dhe çfarë u del përpara: një burrë tre metra i gjatë, me një armaturë që peshonte gati 60 kile dhe me një heshtë, koka prej hekuri e së cilës peshonte 7 kile, ndërsa trupi i ushtës së tij ishte i trashë si shuli i një endësi. Ky burrë ishte po aq i madh sa paraardhësit e tij anakimë, të cilët i kallën datën vëzhguesve të Izraelit që u dërguan për të parë tokën e premtuar përpara se populli të hynte në të, siç e lexojmë tek Numrat 13 e 14. Dhe çfarë ndodh me mbretin Saul dhe me ushtrinë e Izraelit kur u doli përpara Goliathi: ata mbetën të shtangur dhe u hyri një frikë e madhe:

Kur Sauli dhe tërë Izraeli dëgjuan këto fjalë të Filisteut, mbetën të shtangur dhe u hyri një frikë e madhe. (1 Samuelit 17:11)

Është e vërtetë se Goliathi ishte i madh e i frikshëm, por në realitet reagimi i tyre na çon tek thelbi i problemit që kishte populli i Izraelit në këtë kohë, problem i cili u shfaq edhe sa herë të tjera gjatë historisë së tij shumëshekullore. Mirëpo, përpara se të futemi më thellë në problemin e Izraelit, kemi një zhvillim të ri ndërkohë: në kampin ushtarak mbërrin një çunak qimepadirsur, i pashëm dhe i imët, i cili nuk ta mbush syrin, por dëgjoni pak fjalët që thotë ai:

Çfarë do t’i bëjnë atij burri që do të vrasë këtë Filiste dhe do ta largojë turpin nga Izraeli? Po kush është ky Filiste, i parrethprerë, që guxon të poshtërojë ushtrinë e Perëndisë të gjallë? (1 Samuelit 17:26)

Asnjeri të mos ligështohet për shkak të tij! Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë Filiste. (1 Samuelit 17:32)

Shërbëtori yt kulloste kopenë e atit të tij; kur një luan ose një ari vinte për të rrëmbyer një dele nga kopeja, unë e ndiqja, e godisja dhe ia rrëmbeja nga goja; në qoftë se ai kthehej kundër meje, unë e kapja nga krifa, e godisja dhe e vrisja. Po, shërbëtori yt ka vrarë luanin dhe ariun; dhe ky Filiste i parrethprerë do të pësojë të njëjtin fat, sepse ka fyer ushtrinë e Perëndisë të gjallë. (1 Samuelit 17: 34-36)

Çfarë dallimi i madh që ekziston mes fjalëve të Davidit dhe reagimit të Saulit e të ushtrisë së Izraelit? Si nata me ditën, apo jo? Mirëpo, si mund të shpjegohet vallë gjithë ky dallim? Si ka mundësi që përpara së njëjtës vështirësi me mijëra burra shtangen dhe u hyn frika, ndërsa një çunak qimepadirsur ngrihet e bën burrin e madh e trim?

Sekreti i problemit që kishin Izraeli dhe izraelitët në këtë kohë qëndron tek zotthi që adhuronin ata, ndërsa dallimi i madh mes tyre dhe Davidit qëndronte tek Zoti, të cilin ky i fundit adhuronte dhe në rrugët e të cilit ecte. Siç e thashë edhe më lart, në këto vargje, Davidi na jep një mësim teologjie rreth doktrinës së Perëndisë. Ai e njeh Zotin e vet kaq mirë sa unë habitem se si ka mundësi që një çunak, pra një njeri në një moshë kaq të njomë, të ketë një njohje kaq të thellë e domethënëse të vetive apo cilësive kryesore të Perëndisë. Ky dallim i madh mes Davidit dhe pjesës tjetër të Izraelitëve, i cili i përngjan një gremine të thellë e të gjerë, del në pah në pesë vargjet e mëposhtme:

Po kush është ky Filiste, i parrethprerë, që guxon të poshtërojë ushtrinë e Perëndisë të gjallë? (1 Samuelit 17:26)

…ky Filiste i parrethprerë do të pësojë të njëjtin fat, sepse ka fyer ushtrinë e Perëndisë të gjallë. (1 Samuelit 17:36)

…unë po të dal në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer. (1 Samuelit 17:45)

Zoti që më shpëtoi nga kthetrat e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më shpëtojë edhe nga dora e këtij Filisteu. (1 Samuelit 17:37)

… sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia…Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t’ju dorëzojë në duart tona… (1 Samuelit 17:46,47)

Në fakt, në këto vargje shohim të theksuara katër cilësi, veti apo atribute thelbësore të Zotit tonë:

I. Është Perëndia i gjallë (1 Samuelit 17:26,36)

Ky term në hebraisht është Elohim Chayim. Çfarë do të thotë kjo? Sa herë që përdorej ky term synimi ishte që të nxirrej në pah ajo se çfarë e dallonte Yahweh-un nga perënditë pagane që adhuronin kombet e tjera. Ndërsa këto perëndiçkat e kombeve pagane ishin idhuj, prej ari a druri a guri a hekuri, Perëndia i Izraelit ishte i gjallë dhe veprues. Mirëpo termi Perëndi i Gjallë mbart edhe një kuptim tjetër: dëshmon për fuqinë krijuese dhe veprimtarinë siguruese e parashikuese të Zotit. Pra, Ai jo vetëm që është Krijuesi i jetës, por edhe Mbajtësi i saj. Gjithashtu, Ai është Parashikuesi dhe Siguruesi për krijesat e gjithësisë në përgjithësi dhe për ne njerëzit në veçanti dhe këtë e bën përmes Providencës së Tij të mençur, zemërgjerë e të bollshme. Sa interesante apo jo? Ky çunak qimepadirsur ka kuptuar atributin e parë dhe më kryesor të Perëndisë: Ai është Krijuesi i çdo gjëje që mban kjo gjithësi, madje i krejt kësaj gjithësie. Gjithçka është fryti i duarve të tij. Po ashtu, Ai është Mbajtësi i saj, duke parashikuar dhe siguruar për të gjithë krijesat që gjenden në të përmes Providencës së Tij të padështueshme. Davidi e përsërit termin Perëndi i Gjallë dy herë si për ta theksuar edhe një herë tjetër këtë koncept. Duket sikur do që t’ua ngulisë në mendje këtë koncept edhe Izraelitëve zemërlëshuar.

II. Zoti i Ushtrive(1 Samuelit 17:45)

Cilësia e dytë që karakterizon Zotin që adhuron Davidi, i cili nuk është tjetër veçse Yahweh-u biblik dhe Ati ynë Qiellor, gjendet tek 1 Samuelit 17:45. Davidi flet për Zotin e Ushtrive, ose siç njihet ndryshe në hebraisht Yahweh Tsebaot. Është një term që e gjejmë gjithandej në Bibël dhe që ka një kuptim shumë të qartë: do të thotë ose Shumë i Larti ose i Plotëfuqishmi. Pra, është termi që thekson plotfuqishmërinë e Zotit Perëndi. Zoti ynë është Krijuesi dhe Mbajtësi i jetës, por edhe Shumë i Larti e i Plotfuqishmi. Mjafton që të lexojmë Psalmin 29 edhe e kuptojmë më mirë plotfuqishmërinë e Perëndisë. Ia vlen ta lexosh këtë psalm në mënyrë medituese, me qëllim që fjalët e tij të depërtojnë thellë e më thellë në zemrat tona. Është një psalm që duhet shijuar, ashtu siç duhet shijuar e përjetuar edhe ky atribut i Perëndisë sonë.

III. Zoti Shpëtimtari (1 Samuelit 17:37)

Zoti që më shpëtoi nga kthetrat e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më shpëtojë edhe nga dora e këtij Filisteu (1 Samuelit 17:37).

Si mendoni, çfarë cilësie a vetie a atributi të Zotit gjejmë këtu? Gjejmë Çliruesin dhe/ose Shpëtimtarin; atë Zot që disa shekuj më parë e kishte çliruar popullin e Vet nga skllavëria e Egjiptit, me krah të shtrirë dhe mrekulli të parrëfyera, dhe që e çoi atë në tokën që rrjedh qumësht e mjaltë. Atë Zot që shpëtoi popullin e vet sa e sa herë nga lloj-lloj armiqsh. Atë Zot që e mblodhi popullin e Vet dhe që e nxori edhe nga Babilonia pas 70 vjet skllavërie, megjithëse më parë e kishte dënuar me pushtim e mërgim për shkak të idhujtarisë e kurorëshkeljes së tyre. Gjejmë atë Zot që duke filluar nga Zanafilla 3:15 nisi të vinte në zbatim atë planin madhështor për ta shpëtuar njerëzimin nga dënimi dhe skllavëria e mëkatit, plan i cili e arriti pikën e tij më kulmore tek kryqi i Golgotës, kryq në të cilin do të vdiste i patëmeti dhe i pamëkati Zoti ynë Jezu Krisht për shpëtimin dhe shpengimin e ne të zgjedhurve të Perëndisë. Kjo është një gjë e mrekullueshme apo jo? Davidi shprehet pak më sipër (1 Samuelit 17:34-36) se kishte vrarë arinj e luanë. Vepër e madhe dhe trimërie për një çunak apo jo? E megjithatë ai e di shumë mirë se fitorja e tij në të gjitha këto raste varej nga Perëndia, Krijuesi dhe Mbajtësi i jetës, Shumë i Larti dhe i Plotfuqishmi, si dhe Çliruesi dhe/ose Shpëtimtari i Tij. Ai ia kishte dalë kundër luanëve dhe arinjve sepse Zoti i Tij kishte ndërhyrë me krah të shtrirë për ta nxjerrë të paprekur dhe fitimtar pas çdo përleshjeje me ta, jo për shkak të forcave apo trimërisë së tij. Ja pse, Davidi është kaq trim përpara Goliathit, sepse e di që fitorja dhe shpëtimi i tij në të gjitha betejat varen nga Zoti. Është ky shembulli i një varësie të plotë në Perëndinë.

IV. Zot Sovran mbi Njerezit dhe Afaret e Tyre(1 Samuelit 17:46,47)

Cilësinë e fundit e gjejmë tek fjalët me të cilat ai i drejtohet filisteut Goliath:

… sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia…Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t’ju dorëzojë në duart tona… (1 Samuelit 17:46,47)

Çfarë cilësie të Zotit shohim këtu? Shohim atë cilësinë që mua më pëlqen më së shumti që prej ca kohe: Shohim Sovranitetin e Zotit Perëndi mbi ngjarjet, ndodhitë dhe situatat njerëzore. Ashtu siç sundon Sovran mbi gjithë gjithësinë, Zoti sundon sovran mbi këtë betejë, sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti (1 Samuelit 17:46). Davidi e ka kuptuar shumë mirë se Zoti nuk do të lejojë që një filiste i parrethprerë të guxojë ta poshtërojë apo ta fyejë ushtrinë e Perëndisë së Gjallë dhe vetë Perëndinë e Gjallë, ja pse Zoti do ta poshtërojë atë filiste trupmadh e të tmerrshëm duke bërë që ai të vritet prej një çunaku qimepadirsur me një hobe dhe një gur.

Unë po të dal në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer (1 Samuelit 17:46).

Zoti i nderon ata që e nderojnë, por i poshtëron deri aty ku nuk mban më ata që ngrihen me krenari e arrogancë kundër Tij siç bëri Goliathi. Dhe qëllimi i gjithë kësaj që po ndodh është që “gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael” (1 Samuelit 17:46), pra, është lavdia e Perëndisë dhe që kjo lavdi t’i shfaqet mbarë dheut.

Kur dikush e njeh Perëndinë kaq mirë saç e njihte Davidi, atëherë ai ose ajo arrin të shquajë të vërtetën e gjërave, pra, arrin të kuptojë se sado i madh që të jetë kundërshtari, apo vështirësia, apo problemi, apo halli, apo shtrëngesa, apo përndjekja, me të cilën po përballet, përpara Zotit që ai ose ajo adhuron të gjitha këto gjëra janë të vockla, madje mikroskopike. Sado të fuqishme, të frikshme e të pamposhtshme të duken në pamje të parë mbretëritë, perandoritë, principatat, dhe pushtetet e kësaj bote dhe të ajrit, përpara Zotit Perëndi, Krijuesit dhe Mbajtësit të Jetës, Shumë të Lartit e të Plotfuqishmit, Çlirimtarit dhe/ose Shpëtimtarit, dhe Sovranit të gjithësisë e të ndodhive e situatave njerëzore, ato nuk janë veçse të vockla e të thyeshme si kristali. Perëndia është si cunami apo uragan përpara tyre, i merr ato përpara dhe i bën copa-copa.

Duke iu kthyer edhe një herë problemit të Izraelitëve në këtë betejë, e vërteta është se me kalimin e kohës ata e kishin shitur lirë Zotin Perëndi dhe kishin filluar të adhuronin një version të Tij, i cili ishte më i pranueshëm për ta, më i gëlltitshëm për ta, por që ishte shumë më i vogël e më i kufizuar sesa Yahweh-u biblik. Le të themi ishte një zotth sipas shëmbëlltyrës së njeriut. Është i njëjti proces që e shohim të ndodhë tek Eksodi 32, kur populli, duke parë që Moisiu po vononte të zbriste nga mali ku kishte vajtur të merrte rrasat e besëlidhjes, u mblodh rreth Aaronit dhe i tha që t’u bënte një perëndi të shkonte përpara tyre sepse Moisiu mesa duket kishte humbur. Ata donin një zotth me trajtë prej gjërave të dukshme, sepse nuk dinin ç’të bënin me një Zot Perëndi, Krijues dhe Mbajtës të Jetës, Shumë i Larti dhe i Plotfuqishmi, Çlirimtar dhe Shpëtimtar, dhe Sovran të gjithësisë e të ndodhive e situatave njerëzore, por që ishte i padukshëm. Atyre u nevojitej një zotth me trajtë prej krijese dhe përfunduan që prishën thesaret e tyre, thesare që ua kishin dhuruar Egjiptasit falë mrekullive të Zotit Perëndi, për të bërë një viç të mjerë prej ari. Është një proces që ndodh në të gjitha kohërat dhe gjithkund. Është një proces që fatkeqësisht ndodh shpeshherë edhe me ne të Krishterët. Kështu, pra, Izraeli dhe mbreti i tij kishin përfunduar që i përuleshin një zotthi jo më të madh se Goliathi, ndryshe nuk ka si shpjegohet frika e tyre prej këtij të fundit.

Çfarë dallimi i madh mes Zotit që adhuronte Davidi dhe zotthit që adhuronin këta burra? Davidi nuk ishte as më i fortë dhe as më i aftë për luftë sesa ata, por në vend të zotthit të tyre ai adhuronte Krijuesin dhe Mbajtësin e Jetës, Shumë të Lartin e të Plotfuqishmin, Çlirimtarin/Shpëtimtarin, dhe Sovranin e gjithësisë e të ndodhive e situatave njerëzore. Siç jam shprehur në një status timin në Facebook: më thuaj se çfarë apo kë adhuron të të them kush je, apo thënë ndryshe më thuaj se çfarë zoti adhuron të të them kush je. Ja pse Davidi dhe këta burra janë kaq të ndryshëm në të gjitha gjërat, madje duket sikur ata i takojnë dy botëve të ndryshme për mënyrën se si e jetojnë jetën.

 Në mbyllje, mendoj se të gjithë ne kemi për të mësuar shumë prej këtij çunaku qimepadirsur, i cili një ditë do të bëhej mbreti i Izraelit.

Në radhë të parë duhet ta shohin Davidin si të hequr mënjanë nga Perëndia për të shëmbëllyer apo shërbyer si prototipi i Mesias apo Krishtit, pra të Vajosurit të Perëndisë që do të vinte pas gati një mijëvjeçari. Jo më kot nëpër ungjij Zoti ynë Jezu Krisht përmendet shpesh me titullin Biri i Davidit, sepse vinte nga vija gjenealogjike e Davidit, duke qenë stër-stër-stër-stër-nip i këtij të fundit. Ashtu siç thotë edhe kënga Hail to the Lord’s Annointed (Nderoni t’Vajosurin e Zotit) Jezui është Biri edhe më i madh i Davidit të madh, ashtu siç është edhe Biri i Perëndisë edhe personi i dytë i Trinisë. Duke qenë i tillë, Davidi ma jep edhe mësimin tjetër të vlefshëm se nuk janë përpjekjet tona që mposhtin Goliathët e botës, por është Krishti në ne (Galatasit 2:19Filipianëve 4:13) që na aftëson të bëjmë gjithçka. Ashtu siç e thashë më sipër Davidi ia kishte dalë kundër luanëve dhe arinjve, sepse Zoti kishte ndërhyrë me krah të shtrirë për ta nxjerrë të paprekur dhe fitimtar pas çdo përleshjeje me ta, jo për shkak të forcave apo trimërisë së tij. Po ashtu, ai ishte kaq trim përpara Goliathit, sepse e dinte mirë që fitorja dhe shpëtimi i tij në të gjitha betejat vareshin nga Zoti dhe vetëm nga Ai. Duhet ta ngulisim mirë në mendje se këto vargje ia japin gjithë lavdinë Perëndisë dhe vetëm Perëndisë për sukseset e Davidit në të kaluarën por edhe në të tashmen e të ardhmen.

 Së dyti, kemi nevojë të mësojmë se si ta duam dhe ta njohim Perëndinë tonë ashtu siç e njihte dhe e donte ky djalosh, kemi nevojë që t’i shpallim fuqishëm atributet e Perëndisë porsi Davidi përpara një Kishe, e cila është shitur pas zotthave të relevancës dhe modernizmit, njeri-kënaqjes dhe vetërealizimit njerëzor, të cilët nuk janë gjë tjetër veçse idhuj. Le të shpallim, pra, së bashku me Davidin se ne do të adhurojmë dhe do të biem përmbys vetëm përpara Perëndisë së gjallë (Krijuesit dhe Mbajtësit të jetës), Zotit të Ushtrive (Shumë të Lartit dhe të Plotfuqishmit), Zotit që të shpëton nga kthetrat e luanit, panxha e ariut dhe dora e Filisteut Goliath (Shpëtimtarit dhe Çlirimtarit), Zotit që e ka caktuar përfundimin e betejës që nga fillimi (Sovranit të gjithësisë dhe të ndodhive njerëzore), dhe se jeta jonë do të ngrihet vetëm dhe tërësisht mbi këtë themel prej guri të përjetshëm. Tek e fundit Ky dhe vetëm Ky është Ati Qiellor i Zotit tonë Jezu Krisht, Kryepriftit, Profetit e Mbretit tonë të amshuar. Gjithë të tjerët sado të bukur të duken nga jashtë nuk janë gjë tjetër veçse idhuj kallpë e të kotë, të cilët nuk vlejnë asnjë dyshkë.