Histori

“Më jep Skocinë se ndryshe vdes!”


Një biografi e Gjon Noksit (John Knox)

 

Në mbarë historinë e kombit skocez, Gjon Noksi spikat si një hero i besimit. Megjithatë, Noksi sot përçmohet nga kombi i vet në vend se të nderohet kujtimi i tij. Jobesimtarët e përfytyrojnë Noksin si një njeri zemërak dhe përçarës, i cili i urrente femrat. Vendi i varrit të tij sot është kthyer në një hapësirë parkingu dhe ka vetëm një pllakë të thjeshtë me emrin e tij të gdhendur për të treguar se ku prehet trupi i tij. Shkallarja, e cila mbante emrin e tij në qytetin e Edinburgut, tashmë mban një emër tjetër. Noksi sot konsiderohet si përfaqësuesi më i spikatur i një periudhe reaksionare dhe të prapambetur. Pse? Historia është një përzierje e fakteve dhe interpretimeve. Faktet e jetës së Gjon Noksit sot nuk njihen as nga besimtarët, ndërsa interpretimi i jetës së tij ka mbetur në duart e njerëzve, të cilët e urrejnë ungjillin. Jobesimtarët e konsiderojnë kohën e Reformimit në Skoci thjeshtë si një betejë politike dhe fetare, e cila mori shumë jetë njerëzish. Njerëzit e kanë të vështirë ta kuptojnë përballjen mes kishave Katolike dhe Protestante përveçse si një lufte të pastër për pushtet.

Sidoqoftë, reformatorët i shihnin gjërat shumë ndryshe. Ata e kuptuan se beteja jonë nuk është kundër mishit dhe gjakut por kundër principatave dhe pushteteve të errësirës. Ata nuk e vrisnin mendjen për princat apo klerikët aq sa për forcat e errësirës, të cilat qëndronin pas tyre. Ata e kuptuan nga Zbulesa 13 që të dyja bishat që paraqiten në vegimin e Gjonit, nga deti dhe nga toka, përfaqësojnë pushtetin fetar dhe civil. Reformatorët mësonin se pas pushteteve botërore fshiheshin fuqitë demoniake të cilat kishin për synim shkatërrimin e ungjillit të vërtetë dhe kishës së vërtetë. Ne ndodhemi sot në të njëjtën luftë. Edhe pse rrethanat tona në Shqipërinë e sotshme janë shumë të ndryshme prej asaj kohe, betejat tona janë të njëjta dhe prandaj një studim i jetës së Noksit është i domosdoshëm.

Për ta kuptuar Noksin duhet të njohim më thellë kohën e tij. Asokohe Skocia dergjej nën terrin frymëror. Pushteti i kishës Katolike ishte i jashtëzakonshëm. Në shekullin XIV njerëzit ishin të detyruar që ta përshëndesnin Papën si “Zoti, Perëndia ynë Papa.” Skocia në atë kohë ishte nën pushtetin e Francës dhe Franca bënte pjesë në perandorinë e Papës. Popullsia e Skocisë numëronte 800,000 frymë, por 3,000 prej tyre ishin priftërinj të cilët e mbanin popullin në frikë. Njerëzit kishin kaq frikë të flisnin kundër priftërinjve sa bënin kujdes se çfarë thoshin gjatë gjumit. Rrëfejnë një histori për një zyrtar të kishës, të cilin e kishin dëgjuar të thoshte në gjumë: “T’i marrë djalli ata priftërinjtë se janë një tufë të babëzitur!” Priftërinjtë zotëronin një pushtet të madh në mendjet e njerëzve sepse ata ishin burimi i vetëm i indulgjencave (falje të blera me para për mëkatet e njerëzve), të cilat nevojiteshin për veten dhe për afërmit që kishin ndërruar jetë. Priftërinjtë, pra, kishin në dorë të ardhmen e amshuar të njerëzve si dhe atë të të afërmve të tyre. Dihej fundi i çdonjërit që ngrinte krye kundër kishës: atë e priste dënimi me vdekje. Robert Lamb u var në litar sepse guxoi të ndërpriste fjalimin e një prifti, i cili mësonte se shpëtimi ynë varej prej lutjeve që u bëjmë shenjtorëve. Gruaja e tij e mbytën sepse refuzoi t’i lutej Marisë, nënës së Jezuit. Një martir tjetër, Tomas Hamilton, u dogj në turrën e druve, sepse guxoi të pohonte se njeriu shfajësohet vetëm me anë të besimit në Jezu Krishtin dhe se fëmijët edhe pasi pagëzohen janë ende të mëkatshëm.

Kisha Katolike e mbante popullin skocez me kast në një injorancë frymërore. Bibla mund të lexohej vetëm në Latinisht, ndërsa ritet kishtare e mbulonte të vërtetën me një perde të padepërtueshme. Një murg ishte nxjerrë në gjyq para Peshkopit të Dankeldit, sepse dyshohej se ishte Protestant për shkak të predikimeve të tij. Ai e pyeti peshkopin se cili ishte mësimi i drejtë e i duhur. Peshkopi ia gjegji: “Ndonjë ungjill apo letër që mëson autoritetin e kishës së shenjtë.” Murgu mbeti i hutuar, kështu që e pyeti se cilët janë këta ungjij dhe letra? Peshkopi u përgjigj: “Unë e falënderoj Zotin se nuk kam nevojë që ta njoh Dhjetën e Vjetër dhe të Re, ngaqë kam në dispozicion librat e mi të lutjeve dhe të riteve. Kisha po ashtu ishte e krimbur deri në shthurje. Ishte një situatë ku priftërinjtë thoshin: “Bëj si themi ne por mos bëj siç bëjmë ne!” Edhe pse priftërinjtë nuk duhet të martoheshin gjithë bota e dinte se nuk kishte prift pa fëmijë të jashtëligjshëm, madje kishte edhe peshkopë me shumë fëmijë! Kryepeshkopi Bitën, një përndjekës i madh i kishës asokohe, kishte 8 fëmijë, ndërsa një peshkop tjetër kishte 10!

Gjon Noksi doli në skenë pikërisht në mes të kësaj situate. Noksi lindi rreth vitit 1514 në qytetin Hedingtonit pranë Edinburgut. Ai qe arsimuar për të shërbyer si prift Katolik, por për shkak të numrit të madh të priftërinjve në atë kohë nuk gjeti punë. Meqenëse kishte një diplomë universitare në ligj, ushtronte profesionin e noterit dhe u jepte mësim fëmijëve të disa familjeve fisnike. Një rol vendimtar në kthimin e Noksit në besim luajtën jeta, predikimet dhe dëshmia e Xhorxh Uizartit. Uizarti ishte një predikues i fuqishëm, i cili i përmbahej doktrinave të Reformimit, dhe Noksi jo vetëm që i pranoi doktrinat e tij me gëzim por edhe u bë truproja e këtij të fundit. Uizarti merrte kaq shumë kërcënime nga kisha Katolike sa që kishte nevojë për mbrojtje fizike. Megjithatë, kur erdhi ora e arrestimit të tij, Uizarti e dërgoi Noksin në shtëpi duke i thënë atij se vetëm njeri prej tyre duhej të vdiste. Noksi ishte aq i prekur nga vdekja e mikut të tij sa që vendosi të ndiqte rrugën e këtij të fundit si reformator.

Noksi u shpërngul në St. Endrjus, qendra e jetës fetare së Skocisë së asaj kohe, ku edhe filloi shërbesën e predikimit. Në 1547 vendi u pushtua nga Francezët dhe Noksin e zunë rob dhe e vunë të voziste në një anije luftarake Franceze për një vit e gjysmë. Pas lirimit nga skllavëria, me ndihmën e Anglezëve Noksi u zhvendos në Angli ku edhe jetoi për një farë periudhe. Atje nuk pranoi as të shërbente si prift në Kishën Anglikane, sepse nuk i përmbahej dot zotimeve kishtare, por as të bëhej peshkop i saj. Gjithsesi ai qe një nga kapelanët e mbretit dhe falë predikimeve të veta fitoi një ndikim të madh. Ai shërbeu në qytetet e Bervikut, Njukasëllit, dhe Londrës. Duke qenë se Kisha Anglikane ishte në procesin e Reformimit, Zoti e përdori atë për të çrrënjosur disa praktika jobiblike nga gjiri i saj. Një traditë, të cilën e luftoi fort, ishte ajo e gjunjëzimit të njerëzve për të marrë Darkën e Zotit sepse, sipas tij, kjo i ngjasonte një praktike Katolike dhe Katolikët e konsideronin bukën dhe verën si gjakun dhe trupin e përnjëmendte të Krishtit. Ai pati aq ndikim sa që arriti ta hiqte këtë praktikë prej Librit të Lutjeve të Zakonshme të Kishës Anglikane!

Pas kësaj kohe, Noksi shkoi në Gjenevë në krah të Kalvinit, i cili bindi edhe e bindi që të merrte drejtimin e një kishe Anglisht-folëse në Frankfurt. Kjo shërbesë zgjati për një periudhë relativisht të shkurtër për shkak të debateve të shumta në kishë rreth formës së adhurimit dhe Noksi më së fundi u sistemua në Gjenevë si pastori i një kishe Anglisht-folëse atje.

Ndërkohë një grup fisnikësh Skocezë, të njohur si “Lordët e Besëlidhjes” ose si Kovenantërs (Covenanters), e ftuan Noksin të kthehej në atdhe për të udhëhequr punën e reformimit. Ai u kthye atdhe në vitin 1557, dhe pas 9 muajsh predikimi anembanë Skocisë, autoritetet e deklaruan keqbërës dhe rebel. Mbretëresha Nënë, e cila mbretëronte në vend të vajzës së saj të vogël, u ngrit kundër Noksit duke e detyruar atë që të kthehej në Gjenevë. Atje ai shkroi gjatë rreth çështjes së grave në pushtet dhe të drejtës së popullit që të ngrinte krye kundër mbretërve të joperëndishëm. Edhe pse librat e tij e kanë bërë Noksin që të njihet gjerësisht si një urrejtës i grave, duhet pasur parasysh nga leximi që i bënte Shkrimit kishte krijuar bindjen se një grua në pushtet ishte një mallkim!

Ai u kthye në Skoci përsëri në vitin 1559 dhe kërkoi ndihmën e Anglisë kundër pushtimit francez. Ndoshta ishte i vetmi rast kur skocezët dhe anglezët u bashkuan në luftë kundër një armiku të përbashkët, por, si rezultat i kësaj aleance, në vitin 1560, anglezët dhe francezët pranuan më së fundi që të largoheshin nga toka skoceze. Çlirimi i vendit u la duar të lira reformatorëve që të vazhdonin punën e tyre. Në vitin 1560, Protestantizmi ishte kaq popullor në Skoci sa që u shpall nga parlamenti si besimi zyrtar fetar i kombit. Noksit dhe disa drejtuesve të tjerë iu kërkua që të formulonin një rrëfim (kredo) besimi, me qëllim që të miratohej nga parlamenti, dhe më vonë ata ia nisën punës për të hartuar një rregullore për administrimin e kishave. Edhe pse parlamenti nuk e miratoi atë, ky dokument u pranua nga kisha në vitin 1567 dhe kështu vepra e reformimit eci përpara.

Çfarë parimesh mund të nxjerrim nga jeta e Gjon Noksit, të cilat mund të na shërbejnë edhe sot? Këtu mund të themi shumë gjëra, por besoj se të mëposhtmet janë parimet që gjejnë më tepër zbatim në situatën tonë, këtu në Shqipëri.

1. Vepra e shërbesës është një përgjegjësi solemne. Noksi u thirr disa herë për veprën e shërbesës, por po aq herë refuzoi duke thënë se kishte frikë “të vraponte aty ku Zoti nuk e kishte thirrur.” Kur qe një herë në St. Endrjus, Noksi u thirrur publikisht në shërbesë prej një predikuesi. Ai u largua duke qarë dhe iu lut Zotit për disa ditë me radhë duke kërkuar drejtim përpara se ta pranonte një thirrje të tillë. Për Noksin shërbesa nuk ishte një çështje pushteti, privilegji apo përfitimi personal, përkundrazi ishte një përgjegjësi solemne. A nuk na thuhen tek Jakobi 3:1 këto fjalë kuptimplota: “Vëllezër të mi, mos u bëni shumë mësues duke ditur se do të kemi një gjykim më të ashpër.” A kemi ne sot këtë lloj frikë edhe dridhje në shërbesën e Perëndisë? A e kuptojmë vallë që shërbesa nuk duhet shfrytëzuar për qëllime personale, por është një detyrë që na është besuar nga Perëndia, i cili do të kërkojë llogari në ditën e fundit për mënyrën se si kemi shërbyer? Shërbesa nuk është një lojë apo diçka që mund të ndërmerret me lehtësi, por një gjë që kërkon shumë prej nesh dhe jashtëzakonisht e shenjtë. Pali thotë tek 1 Korintasve 3:17: “Në qoftë se dikush e prish tempullin e Perëndisë, Perëndia do ta prishë atë.” Sa kisha kanë vuajtur për shkak të drejtuesve që nuk kanë frikë Perëndie dhe as që e mendojnë se një ditë do t’i japin llogari Perëndisë për mënyrën se si e kanë ndarë Fjalën, si janë kujdesur për tufën e Perëndisë dhe si i kanë shërbyer ungjillit të Krishtit? Shërbesa e Krishterë është një shërbesë të lavdishme por, oh, sa përgjegjësi kanë ata që janë thirrur të shërbejnë! Le të mos i hymë kësaj pune me lehtësi!

2. Kisha duhet të jetë një zë profetik për kombin tonë. Noksi besonte në ndarjen e shtetit nga kisha me gjithë zemër, por jo që kisha të mos përfshihej në politikë. Natyrisht, asokohe nuk ekzistonte sistemi i pluralizmit partiak, por Noksi megjithatë i nxiste besimtarë që të përfshiheshin politikë; duke folur me pushtetarët për problemet e shtetit dhe duke i komentuar çështjet e ditës nga një këndvështrim Biblik. Vet Noksi u përfshi gjerësisht në jetën politike të shtetit skocez dhe mënyra se si ai fliste me mbretëreshën Mari, duke denoncuar idhujtarinë dhe duke i kërkuar pendesë, të kujton profetët e Dhiatës së Vjetër si Amosi apo Isaia, të cilët flisnin kundër padrejtësive të ditës. Besimtarët e sotshëm në përgjithësi ose janë verbërisht partiakë të thekur ose nuk përfshihen fare në politikë. Po ku është zëri profetik i kishës? A po e përdorim vallë pozitën tonë të privilegjuar si feja e pestë zyrtare e Shqipërisë për të kërkuar drejtësi, mëshirë dhe integritet? A jemi përfshirë në jetën e kombit apo qëndrojmë fshehur pas mureve të kishave tona? A ndjehet ndikimi i ungjillorëve në çështjet të mëdha të ditëve të sotme?

3. Duhet t’i përkushtohemi të varfërve. Noksi projektoi një sistemi ndihme për njerëzit e varfër në mbarë kombin, i cili qe i vetmi sistem i tillë në historinë e vendit të vet. Çdo skamnor qe vënë nën përkujdesje dhe shtetasit skocezë ishin të detyruar që t’i ndihmonin njerëzit në nevojë. Noksi botoi një thirrje e njohur si “Thirrja e lypësit”, e cila u vendos në dyert e çdo godine kishtare në mbarë Skocisë. Ai i bëri thirrje murgjve që t’i dorëzonin pasuritë e tyre të shumta përpara se populli t’i merrte ato vetë. Ishte interesante që Noksi nuk i jepte askujt lëmoshë falas. Të varfrit punonin në këmbim të ndihmës që përfitonin, dhe prej tyre pritej që të kërkonin ndihmë vetëm për një kohë të kufizuar. Noksi mori masa që të parandalonte abuzimet e mundshme të sistemit. Sot kur 500 milion njerëz rrezikojnë të vdesin urie në mbarë botën, sot kur varfëria ka pllakosur mbi popullin shqiptar dhe kur hendeku mes të pasurve dhe të varfërve po thellohet gjithnjë e më tepër, si mund të qëndrojmë indiferentë ne si besimtarë përpara kësaj? Besimtarët e krishterë e kanë mësuar kaq mirë fjalën “S’kam” sa që nuk e kuptojnë se nëse kemi një çati mbi kokën, rroba për të veshur dhe bukë për të ngrenë, jemi më të pasur sesa pjesa dërrmuese e popullsisë së globit. Në mes të problemeve tona, a mos vallë e kemi harruar dhembshurinë tonë dhe përgjegjësinë tonë për të varfrit?

4. Vuajtja nuk duhet përçmuar. Noksi ishte një njohës i vuajtjes gjatë gjithë shërbesës së tij. U ballafaqua me kundërshtime, kërcënime ndaj jetës së vet dhe probleme të tjera madhore. Ndoshta koha më e vështirë ishte periudha e kaluar si rob i francezëve. Për një vit e gjysmë kur qe skllav në një anije luftarakë dhe provokohej përditë nga Katolikët, të cilët orvateshin t’i kthenin skllevërit në fenë e tyre, Noksi mësoi rëndësinë e lutjes. Lutja për Noksin ishte “një bisedë e zjarrtë dhe shoqërore me Perëndinë.” Madje vepra e tij e parë kishte si temë çështjen e lutjes. Lutjet e tij ishin kaq të fuqishme sa që Mbretëresha Maria tha se gjëja së cilës i druhej më së shumti ishin lutjet e tij! Edhe pse vuajti shumë, vuajtjet e Noksit e bënë atë jo vetëm një njeri të lutjes por një njeri të aftë për të ngushëlluar ata që kalonin kohë të vështira. Letrat e tij janë plot e për plot me këshilla dhe ngushëllime për njerëzit në vuajtje. Vuajtja e përgatiti Noksin për shërbesë. Vuajtja është një pjesë thelbësore e jetës së Krishterë. Na thuhet tek Filipianët 1:29 që na është dhënë hir, “jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për të.” Ja pse, vuajtja nuk duhet përçmuar sepse frytet e saj janë të ëmbla. Janë pikërisht vuajtjet tona që na aftësojnë për shërbesë, që na sjellin më afër Perëndinë dhe që na japin një zemër të butë ndaj të tjerëve.

5. Duhet të jemi të zellshëm ndaj dhe për Zotin. Zelli për Perëndinë e shtyu Noksin që të bënte lutjen e famshme: “Më jep Skocinë se ndryshe vdes!” Gjatë qëndrimit në Gjenevë ai shkroi rreshtat e mëposhtëm: “Ndjej brenda vetes një klithmë dhe një rënkim duke dëshiruar që Krishti Jezus të mund të predikohet në vendlindjen time, megjithëse e di se mund të më duhet të jap edhe jetën time e mjerë që kjo të ndodhë.” Noksi kishte një zell të paparë për frymët e bashkëkombësve të tij, duke u kthyer në një qortim për vaktësinë tonë të sotshme, por duhet thënë se zelli i tij për shpëtimin e kombit të vet kishte një burim më të thellë: ishte një zell për Zotin dhe lavdinë e Tij. Betejat e tij publike me mbretëreshën lindnin pikërisht prej një zelli të tillë. Denoncimet Noksiane të praktikave jobiblike të Katolicizmit mund të na duken paksa ekstreme sot, por aq i madh ishte zelli i tij për Perëndinë sa që ai nuk e duronte dot idhujtarinë apo gjëra të ngjashme, të cilat mund të zvetënonin lavdinë e Perëndisë. Kur e mbanin rob, u orvatën disa herë ta detyronin Noksin që të puthte një ikonë Shën Mërisë. Ai nuk pranoi kurrë ta bënte këtë dhe një herë e hodhi ikonën në det duke thënë: “Zoja bën mirë të mësojë se si të notojë!” Kanë thënë njëherë për Noksin që ndërsa “të tjerët e krasisnin pak e nga pak degët e pushtetit të Papës, ai mori sëpatën për ta prerë atë nga rrënjët e për ta shkatërruar atë tërësisht!” Ne jetojmë në epokën e tolerancës. Askush nuk guxon më ta ngrejë zërin kundër praktikave dhe mësimeve jobiblike nëpër kishat ungjillore se mos e kritikojnë dhe e përçmojnë. A mos e kemi çuar vallë respektin dhe dashurinë vëllazërore deri në atë ekstrem sa që nuk flasim më dot kundër gjërave që janë të neveritshme për Perëndinë?

6. Duhet t’i përkushtohemi shërbesës së predikimit. Puna më e madhe që bëri Noksi ishte ajo si predikues. “Nuk dua të bëj gjë tjetër veç t’i bie borisë së mjeshtrit tim”, tha ai njëherë. Në vitin 1560, në Shkoci kishte vetëm 12 pastorë. Në vitin 1567, pra, vetëm 7 vjet më vonë, në vend kishte 250 pastorë, 150 “qortues” (njerëz që predikonin nga Fjala) dhe 450 predikues, të cilët nuk shërbenin me kohë të plotë. Për Noksin predikimi i Fjalës ishte çelësi i artë për reformimin e kishës. Një ambasador anglez na jep dëshminë e mëposhtme në lidhje me predikimet e tij: “Ju siguroj se zëri i atij njeriu ishte aq i fuqishëm sa që pas një orë krijoi më shumë jetë në ne sesa sikur të ushtonin 500 trumbeta pranë veshëve tanë!” Kur ndodhi që forcat skoceze u mundën keqazi një herë nga ushtria franceze, ata i detyruan të tërhiqeshin nga Edinburgu në Stërling. Atje Noksi u predikoi atyre nga Psalmi 80 duke u thënë: “Po, çfarëdo lloj gjëje të na ndodhë neve dhe trupave tanë vdekatarë, unë nuk kam as dyshimin më të vogël se kjo kauzë, me gjithë kundërshtimin e Satanit, do të triumfojë në mbarë mbretërinë e Skocisë. Sepse duke qenë e vërteta e përjetshme e Perëndisë së amshuar, ajo do të ngadhnjejë një herë e përgjithmonë, megjithëse për një farë kohe mund të hasë pengesa e vështirësi!” Ai predikoi aq fuqishëm sa që trupat e morën veten dhe u bënë sërish gati për luftë. Edhe në moshë të madhe, kur kishte nevojë për një shërbetor që ta ndihmonte që të ngjitej në podium dhe kur e kishte të domosdoshme të mbahej fort pas foltores tek predikonte, predikimet e tij nuk ishin më pak të fuqishme se sa në rini. Tek predikonte, ai shndërrohej nga Fryma e Shenjtë në një njeri kaq të fuqishëm sa që njerëzit druheshin se mund ta copëtonte foltoren me duart e tij të ligura! Vallë, ne të sotmit, a e kemi humbur besimin tonë në fuqinë dhe rendësinë e predikimit të Fjalës? Në ditët e sotme, predikimin nuk e konsiderojmë si një gjë me shumë rëndësi. Shpesh theksi i shërbesave tona vihet tek aktivitetet, të cilat mund të jenë të mira në vetvete, por që na tërheqin vëmendjen nga një prej shërbesave tona parësore. Jo vetëm kaq por cilësia e predikimëve shpesh herë lë shumë për të dëshiruar, ndërsa predikimet janë të stërmbushura me mendimet e folësve dhe përvojat e tyre. Sa herë që ka ndodhur një rizgjim në kishë është paraprirë përherë nga predikimi i Fjalës. Vallë, a nuk duhet të bëjmë kujdes që të mos e humbasim fokusin tonë në këtë shërbesë të rendësishme?

7. Çelësi i reformimit të kishës është vepra e Fjalës dhe e Frymës. Çdokush mund ta pranojë që kisha ka nevojë për reformim, por çeshtja është si do të reformohet? Vepra e Reformimit në Skoci nuk ndodhi për shkak të njeriut dhe vetë Gjon Noksi do ta mohonte se ajo kishte ndodhur për shkak të tij. Ishte një reformim i frymëzuar nga Fjala e Perëndisë dhe nga Fryma e Shenjtë. Predikuesit e dërguar nga Gjon Uiklifi kishin kryer një shërbesë të fuqishme në disa zona të Skocisë, ndërsa përkthimi i mëvonshëm i Dhiatës së Re në Anglisht nga Uilliam Tindejl pati një efekt të jashtëzakonshëm tek populli i këtyre zonave. Si majaja në bukë, puna e Shkrimit ishte e padukshme, por efektet e saj ishin historindryshuese. Njerëzit filluan të ashtuquajturat kisha të fshehta, ku mblidheshin për të lexuar Fjalën përkundër rrezikut për jetët e tyre. Madje edhe kundërshtarët e tyre e pranonin se doktrinat e Biblës po vepronin fuqishëm në vend. Noksi vetë mbronte pa u lodhur pikëpamjen se, me ndihmën e Perëndisë, Shkrimi është i kuptueshëm për çdo njeri, gjë që e bën të panevojshëm rolin e kishës si interpretuesin e vetëm të Shkrimit, pra, ky i fundit thjesht duhet zbatuar. Ai e tha një herë mbretëreshës: “Fjala e Perëndisë është e qartë në vetvete; dhe në qoftë se duket një gjë të mjegulltë në një vend, Fryma e Perëndisë, i cili asnjëherë nuk bie në kundërshtim me vete, e shpjegon të njëjtën gjë diku tjetër, kështu që nuk ka vend për dyshime në të; përveçse prej atyre që janë injorantë për shkak të kokëfortësisë së tyre.” A është vallë Bibla autoriteti i vetëm për doktrinën tonë, për praktikat tona dhe për gjithë jetën tonë? Vallë, a e nderojmë Biblën me buzët tona, ndërsa këmbët tona na çojnë larg së vërtetës? A është Bibla ajo që drejton çdo gjë në kishat tona, në jetën tonë të përditshme dhe në familjet tona? A është Bibla tema e bisedave tona? A është Bibla përsiatja jonë? A e dëshirojmë fort qumështin e Fjalës?

Veç kësaj, Noksi ishte thellësisht i bindur se reformimi ishte vepra e Frymës së Shenjtë. Përkufizimi i Noksit për atë periudhë ishte i mëposhtmi: “Perëndia ua dha Frymën e Tij të Shenjtë njerëzve të thjeshtë me bollëk të madh.” A jemi duke iu përgjëruar Perëndisë që të zbresë dhe ta derdhë Frymën e Tij mbi kishën e Vet? A jemi përkushtuar në punën e lutjes në varësi të plotë ndaj Frymës apo jemi duke besuar në programët tona, aftësitë tona njerëzore dhe fuqitë tona? Një shkrimtar i shquar bëri njëherë këtë pyetje: “Nëse Fryma do të largohej nga kishat tona, a do ta vinte re njeri këtë?” Nganjëherë jemi kaq të varur nga programet, aktivitetet, takimet, e kështu me radhë, sa që nuk varemi nga Fryma e Perëndisë. Pa Frymën, ne jemi të humbur prandaj le t’i përgjërohemi Perëndisë që t’ua japë Frymën e Vet njerëzve të thjeshtë me bollëk të madh.

8. Duhet pasur frikë vetëm nga Zoti dhe jo nga njeriu. Në varrimin e tij, një fisnik tha: “Ja ku prehet njeriu, i cili kurrë nuk iu tremb fytyrës së njeriut.” Kur nisi të predikonte në Skoci, Kryepeshkopi i St. Endrjus e kërconoi Noksin se do ta vriste. Përkrahësit e Noksit iu përgjëruan që të mos shkonte në St. Endrjus, por Noksi iu përgjigj atyre: “Jeta ime është nën kujdesjen e Atij lavdinë e të cilit e kërkoj, ja pse nuk mund të kem frikë nga mburrja e tiranëve që të mos bëj detyrën time.” Noksi u ftua të merrte pjesë në një seri prej 5 debatesh me Mbretëreshën Mari, e cila qe shumë e përkushtuar ndaj kauzes Katolike dhe mund ta urdhëronte ekzekutimin e tij në çdo kohë. Ai qe akuzuar nga mbretëresha për rebelim ndaj autoritetëve të vendosura nga Perëndia dhe si rrjedhim ndaj vetë Zotit. Me qetësinë më të madhe ai tha: “Zonjë, për shkak se feja e vërtetë nuk buron nga pushteti i princave, por vetëm nga Perëndia i përjetshëm, qytetarët nuk janë të detyruar që ta stisin fenë e vet sipas shijeve të princave të tyre!” Aq e ashpër ishte gjuha e Noksit sa që dikush e qortoi duke i kujtuar se po fliste me mbretëreshën. Ai u përgjigj: “Të pasurit dhe pushtetarët nuk ka më shumë të drejtë sesa njerëzit e zakonshëm që ta ofendojnë madhështinë e Perëndisë.” Noksi ngulmoi në thirrje ndaj mbretëreshës që të kthehej tek ungjilli dhe t’i braktisë idhujt derisa ajo nisi të qante. Ai tha atëherë: “Nuk mund të lejoj lotët e zonjës time të nderuar të më mbysin ndërgjegjen apo të më bëjnë të hesht në dëm të kombit tim.” Frika ndaj njeriut na paralizon dhe na bën të padobishëm për dhe në shërbesën e Perëndisë. Shpesh njerëzit kanë frikë të predikojnë rreth mëkatit apo të ushtrojnë disiplinë kishtare nga frika e njerëzve. Por a nuk është kjo kisha e Zotit? A nuk duhet nderuar Zotin në kishën e Tij dhe a nuk duhen zbatuar porositë e Tij edhe pse vijnë në kundërshtim me mendimet njerëzore? Njerëzit që mendojnë kështu e paguajnë kohë pas kohe një çmim të madh, por thelbi i problemit është kë duam të nderojmë, njerëzit apo Zotin? Shpesh njerëzit kanë frikë që ta ndajnë ungjillin me familjet dhe me të njohurit e tyre. Kemi frikë kur dalim të ungjillizojmë se si do të reagojnë njerëzit nëse u flasim atyre për mëkatin. Patjetër që duhet t’u drejtohemi jobesimtarëve me respekt dhe patjetër që dashuria e Perëndisë përbën një përbërës thelbësor të ungjillit, por po nuk e folëm për mëkatin, a i mbetet vallë ndonjë shije ungjillit? Oh, sikur të kishim më shumë nga ky lloj guximi! Oh, sikur të mos ishim nën zgjedhën e frikës së njeriut, dhe sikur të ishim të mbushur deri në grykë me frikën e Zotit! A nuk do të ndodhte vallë atëherë që bota do të kthehej përmbys nëpërmjet dhe për shkak të dishepujve të Krishtit?

Gjon Noksi ishte një njeri me të meta dhe mëkate si të gjithë të tjerët. Vitet e fundit të jetës së vet i kaloi i penguat nga sëmundjet dhe probleme të tjera shëndetësore, por përkundër këtyre gjërave, ai mbetet një figurë vigane në historinë e kombit skocez. Më shumë se kurrë kemi nevojë për njerëz të tillë.