Niven_Kol Kolosianet

Kolosianët 1:9-11


Sa e rendësishme është njohja e vullnetit të Perëndisë për ty? Një herë një drejtues kishe amerikan e ftuan në një vend aziatik për të predikuar. Kishte përgatitur një studim biblik të shkurtër për takimin e parë. 8 orë më pas takimi mbaroi me një kërkesë nga pjesëmarrësit që të mbanin edhe një studim tjetër të nesërmen. Ai i pyeti: “Sa dëshironi që të zgjasë?”, dhe ata iu përgjigjen: “Tërë ditën”. Kështu ata studiuan librin e Nehemias për 10 orë së bashku. Në fund të studimit ata kishin një kërkesë tjetër: “Duhet të na mësosh Dhiatën e Vjetër. Ne jemi bujq por do t’i lemë të gjitha punët tona për 10 ditë nëse na e mëson Dhiatën e Vjetër.” Kështu që për 9 ditë me radhë, për 10 deri në 12 orë në ditë, ata studiuan të gjitha temat dhe ngjarjet kryesore të librave të Dhiatës së Vjetër. Ditën e fundit predikuesi e kishte mbaruar Dhiatën e Vjetër dhe e zgjodhi një temë tjetër. Në mes të studimit u ngrit njëri dhe po thoshte: “Kemi një problem.” Predikuesi u shqetësua se mos kishte fyer ndonjë prej bujqve, por ata ia kthyen: “Na mësove Dhjatën e Vjetër, por nuk na mësove të Renë!” Këta besimtarë të rinj, të përndjekur dhe të varfër kishin një dëshirë kaq të madhe për ta njohur Biblën. Ju pyes përsëri, sa e rëndësishme është për ju që të njihni vullnetin e Perëndisë? Njohja e vullnetit të Perëndisë është një element kyç për jetën tonë të Krishterë. Kisha e Kolosit po ballafaqohej me një sfidë madhore. Mësues të rremë po mësonin se Krishti dhe ungjilli i Krishtit nuk ishte i mjaftueshëm për ta. Gjëja e parë që bën Pali është ta falenderojë Zotin për ta dhe në falenderimin e tij t’i sigurojë ata për shpëtimin e tyre dhe që besimi i tyre në ungjillin nuk është i kotë. Tani Pali kthehet tek Zoti në lutje. Ai lutet për dy gjëra: njohje dhe fuqi. Ata kanë nevojë ta njohin vullnetin e Zotit që të mos lëkunden, dhe po ashtu kanë nevojë për fuqinë e Zotit që të ngulmojnë më tutje. Vëreni tre pika thelbësore të kësaj lutjeje.

 I. Të kërkojmë vullnetin e Perëndisë

Si lutet Pali këtu? Në radhë të parë ai lutet në një menyrë altruiste. Ku është Pali ndersa po shkruan këtë letër? Ai është në vargonj në burg në pritje të gjyqit të tij përpara Çezarit. Pas pak kohësh ai mund të vdesë për Krishtin. Ndërkohë disa besimtarë në Romë, xhelozë për apostullin, janë duke predikuar kundër tij. Mirëpo, në mes të presionëve dhe ankthëve të jashtëzakonshme Pali lutet për Kolosianët. A lutesh ti për ndonjë njeri tjetër përveç vetvetes? A je kaq i preokupuar me punët e tua, me hallet e tua, dhe jetën tënde sa që nuk lutesh për të tjerët? Ka ardhur koha që të mos mbytemi në lugën e problemeve tona dhe të mos ankohemi më. Në vërtetë, problemet tona janë të papërfillshme. Ata që janë në Indonezi, Irak apo Siri dhe që po humbasin jetën për Krishtin apo janë të pastrehë dhe pa asnjë burim ushqimi, janë vërtetë në hall! Mos thuaj më se ke probleme, por vetëm shiko se çfarë po përjetojnë besimtarët në mbarë botën dhe do të kuptosh se sa të mirë e kemi jetën. Ndoshta arsyeja se përse nuk lutemi më shumë dhe sidomos për të tjerët është sepse në thelb jemi shumë egoistë. Nëse realiteti është kështu, kemi nevojë që të pendohemi thellë dhe të përkushtohemi në lutje për njëri-tjetrin. Në radhë të dytë ai lutet në përbashkësi me të tjerë. Ai thotë: “Prandaj edhe ne, nga dita që e dëgjuam këtë, nuk pushojmë të lutemi për ju.” Kush ishte bashkë me Palin? Timoteu dhe Epafrai që kishte ardhur në Romë për të kërkuar këshillën e apostullit. Gjëra të fuqishme ndodhin kur kisha mblidhet së bashku për të kërkuar fytyrën e Perëndisë. Çfarë po bënin besimtarët e parë në Jerusalem kur zbriti Fryma e Shenjtë mbi ta? Po luteshin. Pse dëshmonin për ungjillin me çiltërsi dhe me shenja dhe mrekulli tek kapitulli 4 i Veprave të Apostujve? Sepse ishin lutur së bashku. Pse u lirua Pjetri në mënyrë të mbinatyrshme tek kapitulli 12 i Veprave të Apostujve? Sepse kisha ishte mbledhur për t’u lutur. Mos hiq dorë nga të mbledhurit së bashku për lutje. A nuk të ka thenë Perëndia tek Isaia 56:7: “Shtëpia ime do të jetë një shtëpi lutjeje për gjithë popujt”? Vullneti i Perëndisë për kishën është që të jemi një shtëpi lutjeje dhe ky duhet të jetë prioritet absolut për ne. Në radhë të tretë ai lutet në një mënyrë të vazhueshme. Nga çfarë thotë Pali, ata nuk pushojnë së luturi për Kolosianët. A është lutja një mënyrë jetese për ty? Pali jo vetëm lutej në një kohë të caktuar për Kolosianët por lutej vazhdimisht për ta. Është e mirë që të caktojmë një kohë të rregullt çdo ditë për t’u lutur por le të mos bëjmë vetëm aq. Efesianët 6:18 thotë: “Duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim dhe çdo ngulmim dhe lutje për gjithë shenjtorët.” Në radhë të katërt ai u lut për gjërat frymërore. Nëse kërkohet lutja për shpëtimin e njerëzve mund të luten një ose dy por nëse kërkohet lutja për një sëmundje, për një punë, për një problem familiar njerëzit luten me shumicë. Nuk ka asnjë gjë të keqe që të lutemi për këto gjëra, por a nuk na bën përshtypje fakti që ne si besimtarë e kemi më të lehtë për gjërat materiale dhe fizike sesa për gjërat frymërore? Gjërat që kërkojmë në lutje në fakt zbulojnë deshirat e vërtetë të zemrës sonë dhe prioritet e vërteta të jetës sonë. Çfarë tregojnë lutjet e tua për ty? Vallë, a jemi duke kërkuar vetëm gjërat materiale apo edhe ato frymërore?

 II. Çfarë duhet t’i kërkojmë Zotit

Ai lutet që Kolosianët “të mbushen me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mënçuri frymërore.” Mbushja me njohjen e vullnetit të Perëndisë mund të kuptohet në tre mënyra. Në radhë të parë që të na kontrollojë plotësisht vullneti i Perëndisë. Është e njëjta fjalë si tek Efesianët 5:18, ku urdhërohemi që të mbushemi me Frymën e Shenjtë. Ideja atje është që Fryma duhet të drejtojë gjithçka në jetën tonë të. Këtu ideja është që ne të kontrollohemi plotësisht nga vullneti i Perëndisë. Më lejoni t’ju pyes, pra, a jeni duke jetuar për vullnetin e Perëndisë? Apo jeni duke jetuar për vullnetin tuaj? Apo jeni duke jetuar për vullnetin e njerëzve të tjerë? Ju siguroj që nëse jetoni për vullnetin tuaj apo të dikujt tjetër nuk do të shihni ndonjë bekim Perëndie në jetën tuaj. Do të hani ushqim derrash si djali plangprishës. Gjithë dëshira jonë duhet të jetë që vullneti i Perëndisë të bëhet në ne si edhe në qiell. Në radhë të dytë që ta njohim vullnetin e Perëndisë plotësisht. Vullneti i Perëndisë është i qartë. Pali thotë tek Efesianët 4 që ne duhet të rritemi në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit. Ne duhet të përvetësojmë jo vetëm qumeshtin e Fjalës por edhe mishin. Përse do të donim të qendronim siç jemi? Përse do të ishim të kënaqur që të mbetemi foshnja frymërore? A nuk duhet të kemi dëshirën që ta njohim vullnetin e Perëndisë plotësisht? Nganjëherë e pyes veten, a jemi të papjekur, a jemi mosbindës, a jemi të lëkundur në besim, apo kjo është thjeshtë sepse kështu na pëlqen? Ai është i miri, i pëlqyeri, i përsosuri vullnetin e Perëndisë, kështu që duhet ta njohim atë plotësisht. Në radhë të tretë që të plotësohen boshllëqet në njohurinë e vullnetit të Perëndisë. Jo se Kolosianët nuk kishin njohuri, por ata duhet prapë se prapë të rriteshin gjithnjë e më shumë në atë lloj njohurie. Pali thotë tek 1 Thesalonikasve 4:1: “Ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në Zotin Jezus që, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni për t’i pëlqyer Perëndisë, kështu të teproni më shumë.” Thesalonikasit po kënaqeshin në Zotin, por duhet ta kënaqnin Atë më shumë. Ne mund ta njohim vullnetin e Perëndisë, por duhet ta njohim atë më shumë. Mos e lër veten të biesh në vetkënaqësi. Mos mendo kurrë se ke arritur maksimumin edhe se nuk ke çfarë bën më tepër! Gjithnjë ke nevojë të rritesh në njohjen e vullnetit të Zotit. Ai jo vetëm lutet që të kontrollohen plotësisht nga vullneti i Perëndisë, që tanjohin vullnetin e Perëndisë plotësisht dhe që boshlleqet e tyre në njohjen e vullnetit të Perëndisë të plotësohen, por edhe që ata ta njohin këtë vullnet me çdo urtësi dhe mënçuri frymërore. Ai perdor dy fjalë shumë interesante, të cilat na tregojnë se çfarë është duke kërkuar. Fjala e parë është sofia apo urtësia. Kjo fjalë i referohet një njohurie të gjërave bazë. Fjala tjetër ka të bëjë me lidhjen e dy gjërave së bashku. Ajo që po kërkon Pali është si më poshtë: jo thjeshtë që të kenë njohuritë baze të besimit, por edhe aftësinë për ta zbatuar vullnetin e Perëndisë në jetën e përditshme. Ajo që na duhet nuk është thjeshtë një njohuri intelektuale e vullnetit të Zotit, por një njohuri praktike. Duhet të dimë jo vetëm se çfarë është vullneti i Zotit për ne, por edhe si ta zbatojmë këtë vullnet në situatat e jetës sonë. A nuk është kjo pikërisht ajo për të cilën kemi nevojë sot? Kur gjendemi përballë sëmundjeve dhe papunësisë, padrejtësive dhe dilemave të jetës, duhet të dimë se si ta zbatojmë vullnetin e Zotit. Kur kemi vendime dhe zgjedhje në jetët tona, duhet të dimë se si të bëjmë ato. Kur duhet të merremi me njerëzit, duhet të dimë se si të sillemi në mënyrë të perëndishme. A nuk është kjo ajo për të cilën duhet të jemi duke u lutur për vetet tona dhe për të gjithë kishën?

 III. Rëndësia e njohjes së vullnetit të Perëndisë

Dikush mund të thotë, “Mirë, njohja e vullnetit të Zotit është e rëndësishme, por sa e rëndësishme është ajo në të vërtetë?” Me dy fjalë mund të themi se është kyçi që zbërthen gjithë jetën e Krishterë. Vini re në vargun 10 se si ai thotë, “që të.” Pse lutet Pali për njohjen e vullnetit të Perëndisë? Në radhë të parë që të ecim në mënyrë të denjë për Perëndinë. Ne jemi ambasadorë të Perëndisë, fëmijët e Tij, e mbajmë emrin e Tij. Kudo ku shkojmë ne përfaqësojmë Perëndinë. Si mund të ecim në mënyrë të denjë për Perëndinë me qëllim emri i Tij mos të përbaltet? Ne nuk e dimë se çfarë është një jetë të denjë pa ditur më parë vullnetin e Perëndisë! Në radhë të dytë që ta kënaqim Perëndinë plotësisht. Synimi i madh i jetës së Palit ishte të kënaqej Perëndinë. 2 Korintasve 5:9: “Prandaj edhe përpiqemi t’i pëlqejmë atij, qoftë duke banuar në trup, qoftë duke lenë atë.” Ishte një vrapues Skocez, Eric Liddle, i cili më vonë vajti në Kinë si misionar. E motra e pyeti: “Pse vrapon?” Ai u përgjigj: “Une vrapoj sepse kur vrapoj ndjej kënaqësinë e Tij.” Synimi ynë i madh nuk duhet të jetë të kënaqim veten apo t’i kënaqim të tjerët, por vetëm Zotin. Si mund ta kënaqim Zotin dhe ta bëjmë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme? Duke njohur vullnetin e Tij dhe duke u zbatuar atë në praktikë. Si mund t’i pëlqejmë Perëndisë nëse nuk e dimë se çfarë i pëlqen Atij? Në radhë të tretë që të teprojmë në vepra të mira. Ne jemi të shpëtuar për veprat e mira. Efesianët 2:10: “Ne në fakt jemi vepra e tij e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë që ne të ecim në to.” Nëse je shpëtuar që të bësh veprat e mira si mund t’i bësh ato kur nuk e di se çfarë janë? Për të ditur se për çfarë veprash për t’u bërë je shpëtuar, do të thotë të njohës vullnetin e Perëndisë! Në radhë të katërt që të rritemi në njohjen e Perëndisë. Është një gjë që të dimë për dikë dhe një gjë krejt tjetër që ta njohim atë personalisht. Unë di shumë gjëra rreth Toni Blerit. E di se ka lindur në Skoci, e di çfarë shkolle ka bërë, e di se çfarë ka bërë gjatë karrierës së tij politike, por unë nuk e njoh atë. Në të njëjtën mënyrë shumë besimtarë dinë jashtëzakonisht shumë për Zotin, por nuk e njohin Zotin edhe aq mirë. Njohja e Perëndisë është thelbi i besimit tone. Jezusi tha tek Gjoni 17:3: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty të vetmin Perëndi të vërtetë.” Pali tha tek Filipianët 3:8: “Dhe unë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh që unë të fitoj Krishtin.” A e kupton që thesari më i madh i jetës është të njohësh Jezusin. Nuk ka gjë tjetër më të lartë sesa. Mos u kënaq thjeshtë të dish gjëra rreth TIj kërko të njohësh atë. Si mund ta njohim atë? Duke bërë vullnetin e Tij. Gjoni 14:21: “Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do, dhe kush më do mua, Ati im do të dojë dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij.” Pa njohjen e vullnetit të Zotit dhe pa e zbatuar atë si mund ta njohësh Jezusin dhe të kesh thesarin më të madh të jetës?

 Po jua përsëris pyetjen, sa e rendësishme është njohja e vullnetit të Perëndisë për ty? Përgjigja e Biblës ështës e njohja e vullnetit të Perëndisë është gjithçka. A nuk do të thotë kjo që duhet të lutemi për këtë gjë për veten dhe për njeri-tjetrin? A nuk do të thotë kjo se duhet ta studiojmë Fjalën seriozisht që ta njohim këtë vullnet?