solat e reformacionit

Kriza dhe Kthimi ne Identitetin Historik dhe Teologjik i Kishës Ungjillore


Gjatë historisë fjalët ndryshojnë. Disa bëhen arkaike, disa fjalëve të tjera u ndryshon kuptimi, ndërsa disa të tjera duket sikur e humbasin kuptimin që kanë pasur. Kjo e fundit duket se ka ndodhur në kohën tonë me termin “ungjillor”. “Në të kaluarën kjo fjalë shërbente si një lidhje uniteti midis të krishterëve që vinin nga një larmi e madhe traditash të krishtera. Kisha ungjillore historike ishte pohuese apo shpallëse e besimit. Në të përfshiheshin të vërtetat thelbësore të krishterimit, që ishin përcaktuar nga sinodet e shquara ekumenike të kishës. Ungjillorët kishin një trashëgimi të përbashkët me “solat” e Reformacionit protestant të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, si origjina e tyre e përbashkët historike.

 Sot, drita e Reformacionit është zbehur jashtë mase. Si pasojë, fjala “ungjillore” është bërë aq gjithëpërfshirëse sa e ka humbur kuptimin. Ne rrezikojmë që të humbim unitetin dhe identitetin që është arritur për shekuj të tërë. Për shkak të kësaj krize dhe për shkak të dashurisë sonë për Krishtin, ungjillin e kishën e tij, ne përpiqemi që të rishpallim përkushtimin tonë ndaj të vërtetave kryesore të Reformacionit dhe të kishës ungjillore historike. Këto të vërteta i pohojmë jo për shkak të rolit të tyre në traditat tona, por sepse besojmë se janë qendrore ndaj Biblës.” (Deklarata e Kembrixhit)

Qëllimi është që të marrim mbi veten tonë një thirrje e trefishtë: 1) të pendohemi nga konformizmi me botën; 2) të rifitojmë doktrinat madhështore të Biblës siç bënë Reformatorët pesëqind vite më parë; dhe 3) të jetojmë një jetë të transformuar në çdo sferë të saj nga të vërtetat thelbësore të Ungjillit.

Sola Scriptura: Themeli Ynë i Vetëm

Në kohën e Reformacionit, sola Scriptura deklaronte se Bibla ishte vetmi autoritet final për të Krishterët në të gjitha çështjet e besimit dhe të jetës. Ky ishte themeli i vetëm mbi të cilën ndiheshin të tëra doktrinat e tjera ungjillore, dha prandaj është quajtur principi zyrtar (fomal principle) – një term identifikon burimin autoritar të teologjisë së Kishës.

Në kontekstin e tyre historik, nga njëra anë, Reformatorët përballeshin me Kishën Kalotike që besonte se doktrina e saj, deklaratat e koncilëve dhe të Papëve, dhe tradita e shkrimet e etërve të Kishës ishin standardi absolut dhe final. Roma besonte se Bibla ishte një libër autoritar, i frymëzuar dhe i pagabueshëm. Por nga ana tjetër besonte që Bibla kishte nevojë për një interpretues të pagabueshëm që të fliste në mënyrë autoritare dhe përfundimtare mbi të gjitha çështjet e besimit dhe jetës. Për Romën, Bibla nuk është e mjaftueshme dhe as autoriteti final.

Nga ana tjetër Reformatorët përballeshin me Anabaptistët apo grupime të tjera të fragmentarizuar nga trupi i Kishës Katolike, që jo vetëm refuzonin çdo lloj tradite a deklarate të Kishës si autoritetin final, por që refuzonin edhe madje nevojën e vetë Biblës sepse Fryma e shenjtë u fliste atyre ose të paktën drejtuesve të tyre direkt. Në vend të një Pape, Anabaptistët prodhuan një numër ende në rritje të mesazherësh “të pagabueshëm” gjë dëgjonin direkt zërin e Perëndisë.

Sot ne përballemi më sfida të ngjashme brenda Kishës Ungjillore. Kisha beson se vërtetë Bibla është e frymëzuar nga Perëndia, se është pa gabime dhe e pa-gabimtë. Por Kisha sot nuk beson se Bibla është e mjaftueshme “për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë” (2 Tim. 3:16-17). Pavarësisht se ungjillorët nuk e thotë të me fjalë, ata e deklarojmë me vepra momentin kur ndjejmë nevojën për të suplemnetuar apo ndihmuar Biblën me mënyrat njerëzore: teknika sociologjike për të bërë ungjillëzim; psikiatrinë për të ndihmuar rritjen në dishepullizim; shenja dhe mrekullitë ekstra-biblike për inkurajim dhe për të “zbuluar” vullnetin e Perëndisë në jetën tonë; mjetet politike për të arritur progres apo reformim social. Pavarësisht deklaratave, Ungjillorizmi sot efektivisht mohon plot-mjaftueshmërinë e Fjalës së Perëndisë  sepse mendon që ajo është e pamjaftueshme për të përmbushur dhe adresuar detyrat që na shtrohen nga Perëndia sot.

Plot-mjaftueshmëria e Fjalës është mesazhi i të paktën tre pasazheve në Bibël. Psalmi 19  krahason fjalën e shkruar të Perëndisë, zbulesës e veçantë me zbulesën e përgjithshme në Perëndisë në natyre dhe kozmos. Mateu 4 tregon se si Jezusi përdori Biblën për të fituar mbi tundimet, për të gjetur vullnetin e Perëndisë në jetën e tij apo me fjalë të tjera për të adresuar çështjet e tij personale ekzistenciale. 2 Timoteut e  është këshilla e Apostullit Pal drejtuar një Pastori të ri, Timoteut për mënyrën se si ai duhet të përballojë kohërat e vështira që po i afroheshin atij dhe Kishës. Fjala është e mjaftueshme për ungjillizim. E vetmja mënyrë se si Fryma e Shenjtë vepron për të rilindur njeriun e vdekur në mëkat është përmes Biblës. Pjetri tha, “jeni ringjizur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së Perëndisë së gjallë dhe që mbetet përjetë.” Fjala është plotësisht e mjaftueshme për shenjtërim pa nevojën e një përjetimi të veçantë, të një “bekimi të dytë” apo të një pagëzimi të dytë të Frymës, apo diçka tjëter. Pali thotë, “konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë,” (Rom. 6:11). Pra, njih Biblën dhe mësimin e saj se  se çfarë Perëndia ka bërë për në shpëtimin tonë, zhvish njeriun e vjetër, vish njeriun e ri, dhe në këtë proces Perëndia ka vepruar përmes Fjalës për shenjtërimin tënde. Të tëra këto pasazhe theksojnë që vetëm Fjala e Perëndisë është e mjaftueshme për këto sfida.

Solus Christus: I Vetmi Ndërmjetës

Shfajësimi vetëm për shkak të veprës së përfunduar të Krishtit kupton që Jezusi ka bërë tërësisht dhe plotësisht gjithçka që është e nevojshme për shpëtimin tonë. Kështu asnjë meritë e njeriut këtu në tokë apo në purgatorin që nuk ekziston, asnjë meritë e shenjtorëve në tokë apo në qiell nuk i shton dhe as nuk e përmirëson veprën e Krishtit. Në fakt çdo lloj përpjekjeje për ti shtuar veprës së Krishtin veprën e njeriut përfundon në një perversion të ungjillit dhe si rrjedhim nuk fare ungjill (Gal. 1:6-9). Të besosh dhe të predikosh Solus Christus do të thotë të proklamosh Krishtin si i vetmi Profet, Prift dhe Mbret i mjaftueshëm për të Krishterin. Ne nuk kemi nevojë për profetë të tjerë për të na dhënë zbulesa nga Perëndia. Ne nuk kemi nevojë për priftërinj të tjerë për të na ndërmjetësuar shpëtimin dhe bekimet e Perëndisë. Ne nuk kemi nevojë për mbretër të tjerë për të kontrolluar apo legjisluar mendimin dhe jetën e besimtarëve. Jezusi është gjithçka ndaj nesh dhe për ne siç na ofrohet lirshëm në ungjill.

Në Mesjetë, prifti besohej se kishte një marrëdhënie të veçantë me Perëndinë dhe si rrjedhim i ndërmjetësonte bekimet e tij njeriut. Mendimtarët e Rilindjes si Petrarka bënin thirrje, si John Lenon në shekullin e kaluar për një unifikim të religjioneve ku dashuria ishte gjithçka që do të ishte e nevojshme. Shumë prej mendimtarëve të tjerë të Rilindjes besonin se zbulesa e Perëndisë në krijesë ishte e mjaftueshme për shpëtimin e njeriut, dhe si rrjedhim Krishti nuk kishte pse të ishte e vetmja rrugë për tek Ati. Njeriu mund ta gjejë vetë perëndinë duke studiuar natyrën dhe vetveten dhe ketë ai e ka bërë përmes të gjitha religjioneve të ndryshme si rrugë për tek Perëndia.

Reformacioni ishte një sulm frontal i besimit të njeriut në njerëzimin dhe një mbrojtje e idesë se vetëm Perëndia na e zbulon veten e Tij dhe vetëm ai na shpëton ne. Dhe se vetëm Biri na e ka bërë të njohur Atin. Jezusi tha, “Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t’ia zbulojë” (Mateu 11:27). Ky theks i Shkrimit ishte arsyeja e thirrjes Solus Christus: Vetëm Krishti.”

Sot ungjillorët po përjetojnë një erozion të besimit të fokusuar vetëm në Krishtin. Deklarata e Kembrixhit deklaron, “Me sekularizimin e besimit ungjillor, interesat e tij përzihen me ato të kulturës. Si pasojë kemi humbjen e vlerave absolute, individualizmin tolerant dhe zëvendësimin e shenjtërisë me tërësinë, të pendimit me restaurimin, të vërtetën me intuitën, besimin me ndjenjat, providencën me shanset dhe shpresën e qëndrueshme me kënaqësinë e çastit. Krishti e kryqi i tij nuk janë më qendra e vizionit tonë.” Predikimi i Kryqit si zemra dhe esenca e Krishterimit, si fuqia e Perëndisë për këdo që beson, si fuqia e Perëndisë madje edhe për shenjtërimin tonë Sot Ungjillorizmi rrezikon të harrojë Krishtin dhe kryqin e tij për shkak të preokupimit idhujtar me vetveten. Shumica e ungjillorëve besojnë se njeriu është  në themel i mirë e i lindur i tillë dhe se ungjilli ka të bëjë kryesisht me Perëndinë që na ndihmon ne që të ndihmojmë vetveten. Kisha duhet të Kthehet tek Teologjia e Kryqit, siç e shprehu Luteri, pasi ai që kupton Kryqin, ka kuptuar Biblën, ka kuptuar Jezus Krishtin dhe ungjilli nuk predikohet “nëse nuk shpallet vepra zëvendësuese e Krishtit dhe nuk kërkohet besimi në Personin e veprën e Krishtit.”

Sola Gratia: E Vetmja Metodë

Ungjillorët, ashtu si edhe katolikët si në Mesjetë edhe sot nuk e mohojnë hirin e Perëndisë si të domosdoshëm për shpëtimin e njeriut. Ungjillorët nuk duan të jenë heretikë. Problemi është se edhe pse teorikisht e pranojmë, praktikisht e mohomë përmes neglizhimit. Kur Reformatorët thirrën Sola Gratia-Vetëm Hiri, ata po deklaronin se njeriu nuk mund të manipulojë Perëndinë për shpëtimin e vet; se Perëndia nuk i ka ndonjë borxh njeriut për shkak të ndonjë gjëje që njeriu bën, dhe i vetmi borxh që i ka njeriut është dënimi; dhe se kur Perëndia e shpëton njeriun e bën këtë vetëm për shkak të dashurisë së tij të përjetshme dhe të pavarur nga diçka jashtë Perëndisë, dhe se Perëndia shpëton vetëm për shkak të kënaqësisë së tij.

Sot Ungjillorëve besojnë se Bibla thotë se janë të vdekur në mëkat. Por kur i teston më thellë dhe më rëndë zbulon se në të vërtetë besojnë se janë vetëm një çikë të vdekur-jo tamam. Se në këtë interpretim të tyre të të qenit vetëm pak të vdekur në mëkatet e tyre, ata janë mjaftueshmërisht të gjallë sa për të zgjedhur Perëndinë të parët, sa për të marrë vendimin e zgjuar për marrë Jezusin në zemër përmes një lutjeje të vetme; që edhe pse Perëndia të shpëton prej hirit, njeriu bashkëpunon me hirin e Perëndisë për të bërë pjesën tonë në shpëtimin e vetvetes. Katolikët kanë doktrinën e Marisë si Bashkëçlironjëse e njerëzimit. Ungjillorët kanë doktrinën e humanizmit ku njeriu është bashkë-shpëtimtar me hirin e Perëndisë. Kjo është arsyeja përse ungjillorët nuk besojnë dhe as nuk kuptojnë doktrinën e mrekullueshme të zgjedhjes sovrane të njeriut nga Perëndia. Kjo është një doktrinë që nuk i duket e drejtë njeriut. Kur besohet “doktrina e drejtësisë dhe barazisë,” domosdoshmërisht pranohet një standard drejtësie përmes së cilës Perëndia duhet ti shpëtojë detyrimisht të gjithë ose të paktën tu japë të gjithëve të njëjtin shans për të shpëtuar vetveten. Ky nuk është hir!

Sot Kisha ungjillore është një kishë Pelagianiste apo të paktën gjysëm-pelagianiste. Pelagianizmi është një herezi që vjen nga shekulli i IV-rt që mohon mëkatin fillestar të Adamit, dhe nevojën absolute për hirin e Perëndisë. Ajo mëson se njeriu mund ti afrohet për shpëtim Perëndisë vete, apo maksimumi, me pak ndihmë nga Perëndia. Ashtu si edhe Kisha Katolike e ajo Ortodokse, Ungjillorët besojnë se Perëndia u jep atyre hirin e tij, dhe se njeriu duke e përdurur siç duhet vjen në shpëtim; se njeërëzimi nuk është i vdekur në mëkat dhe se mëkati dhe vdekja e Adamit nuk i transmetohet pasardhësve të tij dhe që ai është vetem një shembull i keq. Se Krishti është shembulli absolut i dashurisë dhe i shenjtërisë. Sot predikimi fokusohet në nevojën dhe teknikat e të ndjekurit të Krishtit e shembullit të tij dhe jo në personin dhe veprën e tij.

Deklarata e Kembrixhit thotë, “Ne riafirmojmë se në shpëtim, çlirohemi nga zemërimi i Perëndisë vetëm ne anë të hirit të tij. Vetëm vepra e mbinatyrshme e Frymës së Shenjtë na sjell te Krishti, duke na çliruar nga skllavëria jonë ndaj mëkatit dhe duke na ngjallur nga vdekja shpirtërore në jetë shpirtërore. Ne e mohojmë që shpëtimi është në një farë mënyre vepër e njeriut. Metodat, teknikat ose strategjitë njerëzore në vetvete nuk mund ta përmbushin këtë shndërrim. Besimi nuk prodhohet nga natyra jonë njerëzore e parilindur.”

Sola Fide: I Vetmi Instrument

Sola Fide ishte thirrja biblike e Reformatorëve që deklaronin se “Shfajësimi është vetëm me anë të hirit, vetëm nëpërmjet besimit vetëm dhe vetëm përmes Krishtit. Ky është artikulli me anë të të cilit qëndron apo bie një kishë.” Besimi është i vetmi instrument për shfajësimin tonë. Sot ky artikull shpërfillet, shtrembërohet apo edhe mohohet ndonjëherë nga drejtues, studiues e pastorë që shpallin se janë ungjillorë. Modernizmi ndezi zjarrin e pakënaqësisë me ungjillin Biblik dhe sot dikton natyrën e shërbesës dhe përmbajtjen e mesazhit. Tundimi i predikuesit të ungjillit sot është që të ndjehet i vetëm në podium përpara turmave që po u predikon. Dhe si rrjedhim kthehet tek marketingu, tek teknikat e oratorisë, tek informacioni sociologjik apo psikologjik, tek manipulimet emocionale përmes muzikës, kultit të personalitetit, dritave të skenës, dramave apo pantonimave në shërbesë apo ungjillizim, etj. “Si pasojë, bindjet teologjike janë të ndara shpesh nga shërbesa. Prirja e marketingut në shumë kisha e shpie këtë edhe më tutje, duke e fshirë dallimin midis Fjalës biblike dhe botës, duke i hequr kryqit të Krishtit skandalin e vet dhe duke e redaktuar besimin e krishterë në parime e metoda që mund tu sjellin sukses korporatave shekullare.” (Deklarata e Kembrixhit)

Çfarë duhet të bëjmë që të përfitoj ato që Krishti i vetëm ka siguruar në Kryq? Vepra të mira? vepra fetare? Vepra sociale? Jo! Çfarë ne duhet të bëjmë është që të besojmë. Pali thotë “ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi” (Rom. 4:5). Ne shpëtohemi vetëm përmes besimit. Vetëm përmes besimit ne marrim Fjalën e Krishtit, shfajësimin nga Perëndia At, faljen e mëkateve, biresimin si femijë të Perëndisë dhe sigurinë e jetës së Përjetëshme.

Prandaj dhe ne “riafirmojmë se shfajësimi është vetëm me anë të hirit për shkak të Krishtit vetëm. Në shfajësim, drejtësia e Krishtit na numërohet si e vetmja përmbushje e drejtësisë së përkryer të Perëndisë. Ne e mohojmë se shfajësimi varet nga ndonjë meritë që gjendet tek ne ose në bazë të injektimit të drejtësisë së Krishtit në ne dhe mohojmë që një institucion që pretendon se është një kishë e vërtetë, por që e mohon apo e dënon sola fiden, të pranohet apo njihet si një kishë legjitime.” (Deklarata e Kembrixhit)

Soli Deo Gloria: E Vetmja Ambicie

Bota është e mbushur me njerëz ambiciozë. Por Pali thotë se “e kam bërë ambicien time që të predikoj aty ku Krishti nuk është predikuar,” (Rom. 15:20). Sepse Perëndia ka folur kaq qartë dh ka shpëtuar në mënyrë kaq sovrane dhë përfundimtare, besimtari është I lirë që të adhurojë, shërbejë, dhe të lavdërojë Perëndinë përgjithmonë. Pyetje-përgjigja e parë Katekizmit të Shkurtër të Uestminsterit, thotë: “Cili është synimi përfundimtar i njeriut? Synimi përfundimtar i njeriut është të lavdërojë Perëndinë dhe të gjejë kënaqësinë në Të.”

Reformatorët ishin njerëzit më të përulur, më të druajtuar përpara Perëndisë, dhe më ekzaltues të Emrit të Tij. Thirrja e Psalmistit “Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde” (Psa. 115:1) mund të thuhet se ishte motoja kryesore e Reformacionit. Soli Deo Gloria-E Gjithë Lavdia Vetëm Perëndisë ishte motoja e motove për ta teksa synonin që në gjithçka të nderohej Perëndia. Madje John Calvin instruktoi kishën në Gjenevë që ta varrosnin në një arkivol të thjeshtë dhe në varr pa gur zbukurimi e pa emër. Edhe sot e kësaj ditë varri i tij mbetëet i panjohur. Pse? Sepse ai e dinte mire se zemra e njeriut ishte fabrike idhujsh, siç shkruan tek komentari i tij mbi Psalmet, dhe sepse e njihte mire tendencë njerëzore drejt idhujtarizimit të njeriut, supersticionit dhe kultit të individit. Ai nuk dontë që asnjë ti shkëpuste sytë nga lavdërimi i Perëndisë për shkak të tij edhe pas vdekjes së tij.

Cila është ambicja e lëvizjes ungjillore sot? Pamvarësisht se çfarë deklarohet, zënkat për kryesinë e VUSH-it. konkurenca dhe shikimi vërngër ndërmjet Kishave, festivale adhurimi e tekste këngësh në të cilat flitet më shumë për njeriun dhe se çfarë dëshiron apo duhet të bëjë ai gjatë këngës, dhe kjo e përsëritur nëpër refrene deri në ekses, konfliktet ndërmjet pastorëve, pleqëve apo edhe besimtarëve me njëri-tjetrin, dëshmojnë se lavdia e njëriut dhe jo ajo eksluzive e Perëndisë është motoja dhe ambicja jonë.

“Sa herë që autoriteti biblik në kishë humbet, Krishti zhvendoset nga vendi që i takon, ungjilli shtrembërohet, besimi deformohet, kjo ndodh gjithnjë vetëm për një arsye: se interesat tona kanë zënë vendin e atyre të Perëndisë dhe ne bëjmë shërbesën e tij sipas vullnetit tonë. Humbja e përparësisë së Perëndisë në jetën e kishës në kohën e sotme është diçka e zakonshme dhe e mjerueshme. Pikërisht kjo humbje na lejon që ta shndërrojmë adhurimin tonë në dëfrim, predikimin e ungjillit në marketing, të besuarit në teknikë, të qenit të mirë në të ndjerët mirë për veten dhe besnikërinë në të qenit të suksesshëm. Si pasojë, Perëndia, Krishti dhe Bibla kanë një domethënie mjaft të vogël për ne” (Deklarata e Kembrixhit) dhe nuk janë më relevante në jetën tonë.

Ambicia jonë nuk është lavdia e kishës dhe aq më pak e emrave tanë. Doktrina jonë është për lavdi të Perëndisë. Ungjillizimi ynë është për lavdi të Perëndisë. Dishepullizimi, dhënia, shërbesat, dhjakonata, çdo gjë është për lavdinë dhe vetëm për lavdinë e Perëndisë. “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë” (1 Kor. 10:31). Kjo është motoja dhe ambicia jonë. Ne ekzistojmë jo më për veten tonë. Krishti “ka vdekur për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, po për atë që vdiq dhe u ringjall për ta,” (2 Kor. 5:15)

Ungjillorët sot kanë përqafuar urtësinë e botës, teologjinë e botës, programin e botës, dhe metodën e botës. Rezultati është një kishë ungjillore që ka humbur fuqinë dhe realitetin e ungjillit. A mund ta rifitojmë kisha fuqinë e humbur? Po! Por vetëm nëse mbajmë ungjillin e plotë të Reformacionit, duke mos bërë kompromis me botën dhe kulturën e saj. Si mund të realizohet? Përmes ripërtëritjes së mendjes (Rom. 12:2) përmes studimit të Fjalës së Perëndisë…të fuqizuar nga Fryma e Shenjtë me qëllim që të fillojmë të marrim nga ai shkëlqimi i lavdishëm i Zotit Jezus Krisht, duke u bërë gjithnjë e më shumë si ai. Vëllezër, nga historia dimë se ndonjëherë duhen njëmijë zemra që thërrasin si një zë i vetëm. Por ka raste si ky i yni, kur një zë i vetëm duhet të kumbojë sa për njëmijë. Prandaj, le të përmbushim thirrjen tonë dhe të gjithë ata që thonë se e njohin Perëndinë të tregojnë se në fakt e njohin atë ashtu sic Ai është-për lavdinë e Tij dhe për bekimin e të gjithëve.