Teologji

Darka e Fundit


Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im”.-Mateu 26:26

Çdo veprim i Krishtit ka një kuptim. Buka është një simbol i përshtatshëm i trupit të Krishtit. Buka është ushqim, Krishti është ushqimi i shpirtrave tanë. Krishti tha “Unë jam buka e jetës…në jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës”, (Gjoni6:48,51). Vini re mënyrën se si përgatitet buka. Gruri thyhet dhe bluhet, brumi piqet në zjarr përpara se sa të jetë gati për përdorim. Po kështu edhe Krishti vdiq, trupi i tij u thye në Kryq, duke iu nënshtruar zjarrit të madh të vuajtjeve dhe të zemërimit të Atit, në mënyrë që të bëhej ushqimi dhe jeta e shpirtrave tonë.

Thyerja e bukës është gjithashtu kuptimplotë pasi ajo na kujton thyerjen e trupit të Krishtit në Kryqin e Golgotës. Ne nuk duhet të harrojmë kurrë, teksa ëmbëlsisht shijojmë bekimet e hirit, se me çfarë çmimi Zoti ynë i siguroi ato për ne. Sa herë që të ulemi në Tavolinën e Zotit tonë e të shikojmë bukën e thyer të Darkës së Zotit, le të kujtojmë ankthin e Getsemanesë, poshtërimin në pallatit të Romakëve, vuajtjen e zvarritjes së Kryqit rrugëve të Jerusalemit, vetminë e dhimbjen e Golgotës, furinë e zemërimit të pafundmë të Atit që u derdh mbi të për ne.

Dhënia e bukës Dishepujve ka gjithashtu kuptimin e saj. Ajo na tregon për lirinë e vetëdashjen e ofrimit të trupit që Krishti bëri për Kishën. Ai qëndron gjithmonë duar-shtrirë drejt njerëzve, duke u ofruar atyre bukën e jetës me ftesën që ata të marrin lirisht bekimin e shpëtimit.

Marrja e bukës nga besimtarët simbolizon dhe rrëfen aktin e besimit me anë të së cilës Krishti merret nga besimtarët. Ai jep, ne marrim. Nuk është e mjaftueshme që shpëtimi na është siguruar, ajo duhet marrë e aplikuar mbi shpirtrat tanë. Vërtetë Krishti vdiq e u ngjall për ne dhe tani mbart mbi duart e tij të shpuara bekimet e shpagimit për mëkatet tona. Por këto bekime duhen marrë e aplikuar mbi veten tonë. Ashtu siç i sëmuri nuk shërohet nga marrja e recetës së ilaçeve ashtu edhe ne nuk do të shpëtohemi nëse nuk e aplikojmë balsamin e ungjillit mbi sëmundjen e vdekjes e mëkatit. Ne duhet të zgjasim duart, të pranojmë e marrim atë që Krishti me kaq shumë hir, dashuri e sakrificë ka siguruar e ofruar për ne. Që buka të na ushqejë duhet ngrënë, po kështu edhe ne duhet që ushqehemi me Krishtin që shpirti ynë të jetojë.