Teologji

Ç’farë Simbolizohet në Darkën e Zotit?


Qëllimi i sakramentit është që të simbolizojë apo të ilustrojë një apo disa të vërteta të brendshme shpirtërore përmes simboleve të jashtme, të përjetueshme përmes shqisave tona. Në rastin e Darkës së Zotit, simbolet e jashtme janë buka, vera, akti i ndarjes së bukës dhe i derdhjes së verës, përvetësimi i bukës dhe i verës përmes ngrënies dhe pirjes, e tëra kjo gjë në bashkësinë e njëri-tjetrit. Të tëra këto së bashku përbëjnë elementet e Darkës së Zotit. Por çfarë simbolizohet përmes këtyre elementeve?

Së pari, Darka e Zotit është një prezantim simbolik i vdekjes së Zotit Krisht. 1 Kor. 11:26 thotë “Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë.” Thelbi i doktrinës së Shpengimit, mesazhi qendror i Biblës, që u predikua në Dhiatën e Vjetër përmes sakrificave të shumta, që në vetvete ishin simbole profetike të Besëlidhjes së Re, është sakrifica zëvendësuese e Krishtit, vetë Zotit, për shpengimin e mëkatarëve. Fjalët e sakramentit “thyer për ju” dhe “derdhur për shumë” theksojnë faktin që vdekja e Krishtit ishte një vdekje sakrifikuese, për shpëtimin e popullit të tij, e bërë në vend të tyre.

Së dyti, Darka e Zotit simbolizon pjesëmarrjen e besimtarit në Krishtin e Kryqëzuar. Gjatë festimit të Darkës ësë Zotit, pjesëmarrësit, jo vetëm që vështrojnë simbolet, por edhe i marrin dhe ushqehen me to. Në një farë mënyrë, ata “hanë mishin e Birit të Njeriut dhe pinë gjakun e Tij” (Gjoni 6:53), pra në mënyrë simbolike, ata përvetësojnë bekimet që u janë siguruar përmes vdekjes sakrifikuese të Krishtit.

Së treti, Darka e Zotit simbolizon jo vetëm vdekjen e Krishtit si objekti i Besimit tonë, si dhe aktin e besimit i cili bashkon besimtarin me Krishtin, por edhe efektet e këtij akti që është dhënia e jetës, fuqia dhe gëzimi në shpirtin e tij. Kjo nënkuptohet në elementet e bukës dhe verës. Ashtu siç buka dhe vera ushqejnë dhe forcojnë jetën fizike të njeriut, po kështu edhe Krishti mbështet, ushqen, rifreskon dhe gjallëron jetën në shpirtin e besimtarit. Bibla gjithmonë Krishtin si burimi i jetës, fuqisë dhe lumturisë së besimtarit. Tek Kol. 3:3 Pali thotë se “jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë.”

Së katërti, sakramenti gjithashtu simbolizon bashkimin e besimtarëve më njeri-tjetrin. Si anëtarë të trupit mistik të Krishtit, besimtarët formojnë një njësi shpirtërore. Ata hanë të njëjtën bukë dhe pinë nga e njëjta verë. Apostilli Pal tha “sepse ne jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë” (1 Kor. 10:17), dhe shtoi “sepse të gjithë ne jemi pagëzuar në një Frymë të vetëm në të njëjtin trup,” (1 Kor. 12:13). Teksa ne marrim dhe i kalojmë njëri-tjetrit elementet e sakramentit, ne futemi në një marrëdhënie intime, lidhëse dhe inkurajuese me njëri-tjetrin.

Pra, sakramenti i Darkës së Zotit ka për qëllim që të simbolizojë sakrificën zëvendësuese të Krishtit, unifikimin tonë mistik e jetëdhënës më Krishtin si objekti i besimit tonë, efektet apo bekimet që burojnë nga ky bashkim unik me Krishtin, si dhe bashkësinë intime që besimtarët kanë me njeri-tjetrin si trupi i Krishtit.